Qytetarët alarmojnë për rritjen e taksës në pronë, Hekuran Murati fut veshët në “lesh”

Rritja e tatimit në pronë prej mbi 100 për qind, ka alarmuar qytetarët, të cilët kanë reaguar në rrjetet sociale, duke e quajtur si një vendim absurd. Por bazuar në reagimin e zyrtarëve të komunës në fjalë kjo rritje nuk ka të bëjë me ndonjë vendim të Kuvendit Komunal të Prishtinës, por se rritja është bërë nga ministria e Financave e udhëhequr nga Hekuran Murati. Kjo e fundit si zakonisht nuk ka dhënë asnjë shpjegim, se në bazë të cilave parametrave është rritur tatimi në pronë.

Në anën tjetër ekspertët ekonomikë vlerësojnë se një rritje e tillë është e pa përballueshme për qytetarët dhe se kjo politikë e rritjeve, është në dëm të qytetarëve.

Ujkan Bajra, ekspert i çështjeve ekonomike, thotë se kjo është një jo normale..

Fatura e tatimit në pronë për vitin 2023 është gjeneruar/krijuar nga Ministria e Financave. Për të njëjtat njësi banimi apo truall/pllace, shoh një rritje anormale të bazës tatimore (vlera e vlerësuar e pronës), ku për vitin 2023 është rritur gati 100% më shumë se dy vitet e mëparshme dhe e gjithë kjo pa asnjë njoftim nga institucionet tona, por në një mënyrë shumë tinëzare (në rastin tim: shiko e njëjta pronë nga 76 mijë në 2021 vlerësohet 144 mijë në 2023-100% më shumë). Absurditeti i llojit të vet.

Baza/ vlerësimi tatimor në tre vitet e fundit:

*2023 – tatimi në pronë 571 euro

*2022 – tatimi në pronë 350 euro

*2021 – tatimi në pronë 304 euro

“Kjo është taksa më e pamëshirshme në historinë e re të Kosovës dhe kujdesi për shtresat shoqërore është kthyer në gjueti. Me të njëjtën mirëqenie, me të njëjtat paga, me kufirin e rritur të varfërisë, me normën më të lartë të inflacionit në të gjithë periudhën e pasluftës, është absolutisht anormale që qytetarët të rëndohen edhe më shumë nga rritja e bazës tatimore (vlera e vlerësuar e pronës), rrjedhimisht e tatimit në pronë. E tmerrshme”, ka thënë Bajra.

Ai ka shtuar se çdo rritje e taksave,  do të thellojë varfërinë dhe do të rrisë pakënaqësinë e qytetarëve. “Qytetari nuk mund ta përballojë këtë dhe rritja e bazës tatimore mbi 100% në krahasim me vitin e kaluar 2022 është padyshim për të ardhur keq. Aq më tepër për ato mendje politike që mund të lejojnë që diçka e tillë të zbatohet në dëm të qytetarëve”, ka shkruar.

Mirëpo zyrtarët e Komunës së Prishtinës, kanë hedhur poshtë se komuna e ka rritur normën e tatimit në pronë. Ata thonë se tatimet janë rritur nga Ministria e Financave  .

“Gjatë ditëve të fundit kemi pranuar shumë reagime rreth ngritjes së çmimeve të tatimit në pronë, e cila i është atribuuar Komunës së Prishtinës. E kuptojmë plotësisht shqetësimin tuaj, por me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve rreth këtij procesi, ju informojmë se: Bazuar në dispozitat e Ligjit në fuqi për Tatimin në Pronën e Paluajtshme. Autoriteti kompetent për zbatimin e procedurës së vlerësimit është Ministria e Financave e cila përcakton zonat e vlerave, nivelet e vlerave dhe vlerën e vlerësuar të pronave të paluajtshme që janë brenda territorit të komunave. Vlerësimi i pronave të paluajtshme kryhet në përputhje me rregullat dhe procedurat e parashikuara në këtë Ligj dhe në aktin nënligjor që nxjerr Ministria e Financave për kategoritë e vlerave, metodat dhe modelet e vlerësimit. Komuna e Prishtinës, nuk e ka bërë përcaktimin e shumave në faturat e qytetarëve për vitin tatimor 2023”,ka qenë reagimi i zyrtarëve të Komunës së Prishtinës. /Indeksonline/