Katër drejtorë të Inspeksionit janë ndërruar në Podujevë, që prej ardhjes së Shpejtim Bulliqit në krye të kësaj komune. Asnjë prej tyre s’ka qëndruar në këtë pozitë më shumë se nëntë muaj. Për ndryshimet e shpeshta në këtë drejtori kanë folur për Gazetën Express dy prej ish-drejtorëve. Njëri nga ta e ka akuzuar Bulliqin për presion të vazhdueshëm për tejkalim kompetencash. Tjetri ka thënë se do të vazhdojnë të ndërrohen drejtorët, derisa të gjendet dikush i “dëgjueshëm”.
Drejtoria e Inspeksionit në Podujevë ka mbetur sërish pa udhëheqës. Drejtoresha e deritanishme, Florentina Osmani, ka dhënë dorëheqje, “për shkak të angazhimeve të tjera profesionale”.
Në këtë pozitë, Osmani ka qëndruar për rreth shtatë muaj.
Me kërkesë të Drejtoreshës së Inspeksionit,Florentina Osmani, për t’u liruar nga detyra si drejtore e këtij dikasteri për shkak të angazhimeve të tjera profesionale, ajo sot është liruar nga kjo detyrë. Kryetari Bulliqi e ka falënderuar ish drejtoreshën Osmani për punën dhe kontributin e saj për periudhën që ka udhëhequr me këtë dikaster”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Ajo ishte e katërta që e kishte marrë udhëheqjen e kësaj drejtorie, që nga zgjedhja e Shpejtim Bulliqit si Kryetar i Podujevës.
Në mandatin e parë të tij, Drejtor i Inspeksionit ishte zgjedhur Ajet Potera. Këtë pozitë e kishte mbajtur vetëm katër muaj. I njëjti disa herë ka kritikuar qeverisjen e Bulliqit.
Pas dorëheqjes së Poterës, këtë pozitë e kishte marrë Bedri Maqastena, i cili është i vetmi që ka qëndruar deri në fund të mandatit.
Në një prononcim për Gazetën Express, Maqastena ka deklaruar se nuk ishte riemëruar për mandatin e ri, për shkak të mospajtimeve me Bulliqin.
Sipas tij, Bulliqi mendon se vendimet e Inspektoriatit duhet të jenë në harmoni me dëshirat dhe interesat e tij.
“E para, unë e kam përfunduar mandatin tim si drejtor dhe nuk jam riemëruar në mandatin e ri për shkak të mospajtimeve me kryetarin në lidhje me përgjegjësitë e kësaj drejtorie. Në rrethana normale, Inspektorati i Komunës ekziston për ta ruajtur ligjshmërinë dhe për të sanksionuar ata që e shkelin ligjin dhe nuk i përmbahen rregullave. Sigurisht që të gjithë ish-drejtorët e kanë ditur këtë dhe e kanë kryer punën e tyre me përgjegjësi, po i vetmi që nuk e di pse ekziston Inspektorati si duket është kryetari Bulliqi i cili vazhdimisht mendon se vendimet e Inspektoriatit duhet të jenë në harmoni me dëshirat dhe interesat e tij”, ka deklaruar Maqastena.
Ai ka akuzuar Bulliqin për presion të vazhdueshëm për tejkalim kompetencash.
Maqastena vlerëson se grupet e interesit në këtë komunë kanë ndikim dhe kontroll te Bulliqi dhe kanë fuqinë të marrin vendime për shkarkimin e një drejtori.
“Në rrethana normale, kur Inspektoriati nuk e kryen punën si duhet, përgjegjësi prej tyre do duhej të kërkojë prokurori dhe jo kryetari, por vakumin në sistemin e drejtësisë më së miri po e shfrytëzojnë grupet e interesit të cilat në momentin që pengohen interesat e tyre, e kanë fuqinë të marrin vendime për shkarkimin e një drejtori përmes fuqisë së tyre të ndikimit dhe kontrollit të kryetarit.
Presioni i vazhdueshëm për tejkalim kompetencash ka bërë që ish-drejtorët duke e ditur se mund të ballafaqohen me drejtësinë kanë zgjedhur rrugën e dorëheqjes para se ta shkelin ligjin dhe shpresoj që ndoshta kjo do të reflektoj te kryetari që drejtorit të ardhshëm të mos i përzihet dhe të mos ndikojë në përgjegjësitë dhe vendimet që dalin nga kjo drejtori”, ka deklaruar ai për Express.
Pas Maqastenës, në krye të Inspeksionit kishte ardhur Besnik Mulliqi, i cili kishte udhëhequr me këtë drejtori për shtatë muaj, deri kur ishte shkarkuar nga Bulliqi.
Duke folur lidhur me dorëheqjet e shkarkimet në këtë drejtori, Mulliqi i ka thënë Gazetës Express se drejtorët do të vazhdojnë të ndërrohen, derisa të gjendet dikush “i dëgjueshëm”.
“Unë e kam sqaruar edhe më herët siç e dini. Nuk është aspak normale dhe kjo po ndodh për të njëjtat arsye qe une veç i kam thënë më herët. Drejtorët do të ndërrohen derisa të emërohet dikush, i cili është i dëgjueshëm”, ka thënë Mulliqi për Express.
Pas shkarkimit Mulliqi në emisionin Frontal të T7 kishte thënë se kryetari i Podujevës e ka penguar t’i kryejë punët e tij, duke i kërkuar që t’i lejojë mbindërtimet në qendrën e qytetit dhe të mos i fillojë rrënimet e ndërtimeve në Orllan.
“Drejtorët e Lëvizjes që janë brenda e bëjnë të pamundurën që me u punu drejt në qeverisjen në Podujevë. Aty është kriju një ambient i pamundur me bë punë, zotëriu në fjalë [Shpejtim Bulliqi] e ka problemin me të gjithë drejtorët vetëm për punën e mirë që janë duke e bë. E them prapë ai më ka pengu me i zhvillu punët sic duhet. I njëjti më ka kërku mos me i fillu rrënimet në Orllan i njëjti më ka kërku me i leju mbindërtimet në zonën e qytetit. S’ka pasë arsyetim thjesht qysh i ka ato shprehjet, lej le t’shkojnë, naj dënim aty këtu”, kishte deklaruar Mulliqi.
Nga Komuna e Podujeës kishin deklaruar se njëra ndër arsyet kryesore për lirimin nga detyra është mosefikasiteti i punës që, siç është thënë në njoftim, “duke lejuar të rëndohet situata me ndërtimet pa leje në zonën e Liqenit të Batllavës”.
“Duam të sqarojmë opinionin publik lidhur me lirimin nga detyra të drejtorit të Drejtorisë së Inspeksionit, Besnik Mulliqi në Komunën e Podujevës, se njëra nga arsyet kryesore për lirimin nga detyra është mosefikasiteti i punës së drejtorisë duke lejuar të rëndohet situata me ndërtimet pa leje në zonën përreth Liqenit të Batllavës”, thuhej në sqarimin e Komunës.