Qindra të vdekur në Gaza, Izraeli e Hamasi fajësojnë njëra-tjetren

Qindra palestinezë dyshohet se kanë vdekur nga një shpërthim i madh në spitalin në Gazë, për të cilin Hamasi e ka akuzuar Izraelin. Derisa të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për këtë sulm, vizita e paraparë e presidentit amerikan, Joe Biden dhe e liderëve arabë u anulua.

Ndërkaq, pas sulmit në spitalin në Gazë, ka reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Në platformën X, ajo shkroi se jetët e pafajshme duhet të mbrohen.

Forcat e Mbrojtjes izraelite shfaqën të mërkurën një video 30 sekondëshe, ku thuhet se shpërthimi vdekjeprurës i spitalit në qytetin e Gazës nuk mund të ishte rezultat i një sulmi ajror izraelit.

Sipas Forcave të Mbrojtjës Izraelite shpërthimi u shkaktua nga raketat e hedhura gabimisht nga një grup tjetër, Xhihadi Islamik Palestinez dhe të dyja palët mohojnë fajin.

Zyrtarët palestinezë kanë fajësuar Izraelin për bombardimin që besohet se ka vrarë qindra njerëz, ndërsa zyrtarët izraelitë thonë se një raketë e lëshuar nga Xhihadi Islamik shkaktoi shpërthimin.

Pas shpërthimit në spitalin Al Ahli të Gazës, takimi i paralajmëruar midis presidentit amerikan Joe Biden dhe liderëve arabë, përfshirë atë me liderin palestinez, Mahmud Abbas u anulua.

Biden do të shkonte në Jordani pas takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, atje ishet paraparë të takonte Mbretin Abdullah të Jordanisë, presidentin Abdul Fattah al-Sisi të Egjiptit dhe Muhamed Abbas.

Megjithatë, mbrëmë vonë, ministri i jashtëm i Jordanisë tha se takimi mund të mbahet vetëm kur palët të bien dakord për t’i dhënë fund “luftës dhe masakrave kundër palestinezëve”, duke fajësuar Izraelin për shpërthimin në spital.

Në një postim në Tëitter, Biden tha se ishte “i indinjuar dhe thellësisht i pikëlluar” nga shpërthimi – dhe udhëzoi ekipin e tij të sigurisë kombëtare që “të vazhdojë të mbledhë informacione për atë që ka ndodhur saktësisht”

Në zhvillime tjera, ndihma jetike humanitare po grumbullohet në kufirin e mbyllur të Gazës, pavarësisht përpjekjeve diplomatike për të hapur një korridor nga Egjipti. OKB-ja dhe agjencitë e tjera thonë se kanë nevojë për siguri për kalimin e sigurt për çdo kolonë të mundshme ndihme.

Izraeli është zotuar të zhdukë Hamasin, grupin islamik që kontrollon Gazën, në përgjigje të sulmeve terroriste të 7 tetorit që vranë 1400 njerëz. Të paktën 3,000 njerëz janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në Gaza, sipas zyrtarëve palestinezë shëndetësorë.

Protestat kanë shpërthyer në të gjithë Bregun e pushtua Perëndimor dhe qytetet kryesore në mbarë botën, dhe shumë liderë botërorë e kanë dënuar shpërthimin në spitalin në Gaza, me disa që bëjnëthirrje për një armëpushim.