çka i premtoi Kosova Macronit?

Emmanuel Macron është shprehur i indinjuar që Kosova nuk po e mban një fjalë që ia ka dhënë atij. Se për çfarë bëhet fjalë, nuk bëhet e ditur saktësisht, por një premtim i ishte dhënë atij. Ai qysh në gusht kishte paralajmëruar se mund të rishikohej çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët dhe këtë e tha edhe më fort këtë javë. Presidentja Vjosa Osmani, e cila atëherë i thoshte presidentit francez se kjo do ta vriste dialogun me Serbinë “një herë e përgjithmonë”, tash beson se do ta ketë mirëkuptimin e tij. Të dy ishin takuar në fillim të muajit në Spanjë për ta bërë një “bisedë të rëndësishme”.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Promoted content

ZESTRADAR

Iconic Celebrity Families That Could Have Been

LEARN MORE

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron të martën shprehu indinjatën e tij që Kosova, siç tha ai, nuk po e mban një fjalë të dhënë.

Duke e përmendur për të dytën herë në dy muaj çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, Macron dukej se po fliste për një premtim që e kishte marrë nga Kosova në lidhje me dialogun me Serbinë, e i cili nuk është mbajtur.

“E them me shumë qartësi, kemi bërë një gjest mirëbesimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, kjo (regjimi i vizave) është pezulluar për shkak të fjalës së dhënë, e cila edhe sot nuk po mbahet”, tha presidenti francez në një konferencë për media gjatë vizitës në Tiranë.

Ai shtoi se pret angazhim serioz nga Kosova dhe Serbia “për të lëvizur përpara në javët e ardhshme”. Tha se kjo gjë “është kusht kyç për paqe edhe në rajon”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e përmendi po ashtu rrezikun e pezullimit të lëvizjes së lirë në zonën Shengen. Tha se “Kosova është futur vetë në një kurth që ia ka bërë vetes”, dhe se “do të ishte dramatike të humbiste një të drejtë më në fund të fituar për të lëvizur lirisht në Bashkimin Europian”.

“Mua më rrëqethet mishi kur mendoj që mund të ketë rindalesë në procesin e liberalizimit të vizave, por në anën tjetër nuk duhet të rrimë ta kërkojmë te presidenti i Francës. Duhet ta kërkojmë te vetja dhe duhet ta bëjmë ne paqen, duhet ta bëjë Kosova pjesën e vetë dhe pastaj le t’ia lërë Serbinë në dorë Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara”, tha Rama.

Macron kishte paralajmëruar që në gusht se Franca do ta rishikojë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, nëse vendi nuk sillet me përgjegjësi.

“Franca dhe Gjermania i kanë bërë premtimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse të dy palët nuk sillen me përgjegjësi. Ne duhet të jemi tejet kujdesshëm në këtë drejtim, posaçërisht kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është në rrezik”, shprehej Macron më 28 gusht në një fjalim vjetor para ambasadorëve francezë në Paris.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i përgjigjej goxha ashpër asaj deklarate, duke thënë se kjo do ta vriste dialogun me Serbinë “një herë e përgjithmonë”.

“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet”, shprehej Osmani më 30 gusht në një vizite te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë.

Pas këtyre fjalëve, Osmani dhe Macron u takuan në fillim të këtij muaji në në Granada të Spanjës, ku të dy kishin shkuar për një mbledhje të Komunitetit Politik Europian.

Osmani shkruante për një “bisedë të rëndësishme” me Macronin më 5 tetor.

“Një bisedë e rëndësishme me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, rreth zhvillimeve të fundit të sigurisë në Kosovë dhe për përkushtimin tonë të përbashkët për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. E theksova rëndësinë për ta mbajtur përgjegjëse Serbinë për aktin e agresionit kundër Republikës sonë”, shkruante Osmani në “X”.

Presidentja e Kosovës tash beson mirëkuptimin e presidentit të Francës, duke theksuar se me të kanë pasur mundësinë të diskutojnë për të gjitha çështjet.

“I kam diskutuar të gjitha këto me presidentin Macroon gjatë takimit tonë në Granada dhe besoj që kemi mirëkuptim në tejkalimin e sfidave”, tha Osmani të mërkurën për EO.

Ajo tha të martën se procesi i liberalizimittë vizave “nuk është pezulluar dhe ligjërisht s’mund të pezullohet nga një shtet”.

“Jam e bindur se çfarëdo lloj qartësimi që kërkon presidenti Macron e institucionet franceze mund t’ua japim ndërkohë dhe të heqim ndonjë lloj hezitimi që ata mund ta kenë. Por, procesi vazhdon e ky vendim hyn në fuqi më 1 janar të vitit 2024”, deklaroi Osmani në KTV.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Europian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, udhëtoi sot drejt Parisit në një vizitë zyrtare, njoftoi Zyra e Kryeministrit në mëngjes.

Gjatë qëndrimit në Francë, Bislimi “do të takohet me Sekretaren e Shtetit për çështje Evropiane të Francës, Laurence Boone, diplomatë nga shtetet anëtare dhe deputetë të Parlamentit francez”, tha ZKM-ja.

Vizita e Bislimit në Francë vjen pak ditë pasi presidenti Emmanuel Macron kërcënoi Kosovën me liberalizimin e vizave pasi sipas tij “liderët kosovarë nuk po e mbajnë fjalën”.

Ndërkombëtarët kërkojnë kthim te marrëveshja, Macron: Pres që Osmani dhe Kurti të jenë të përgjegjshëm

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron foli në Tiranë për propozimin franko-gjerman për Kosovën dhe Serbinë, duke shpjeguar se çfarë pritet nga të dyja palët.

“Ne i ndjekim me shumë vigjilencë tensionet që ekzistojnë mes Prishtinës dhe Beogradit. Franca dhe Gjermania kanë bërë një propozim udhërrëfyes që unë mendoj se është i fortë dhe i mirë dhe presim që të respektohet nga të dyja palët. Mendoj se është përgjegjësi e z. Vuçiq që t’i dënojë prerazi aktet e 24 shtatorit sepse kontribuon në rikthimin e qetësisë në kufi dhe më pas, etapat e ardhshme dhe ajo çka presim nga autoritetet kosovare dhe serbe është e thjeshtë: riorganizimi i zgjedhjeve në komunat ku këto u bënë në kushte të papërshtatshme, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe në institucioneve, njohjen e Asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare, kësaj radhe plotësisht dhe totalisht”, tha Macron.

“Pres që presidenti Vuçiq të jetë i përgjegjshëm. Pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri kosovar”, theksoi presidenti francez.

Bashkimi Europian, përmes zëdhënësit Peter Stano më 10 tetor i tha Kosovës dhe Serbisë se “nuk ka asnjë rrugë tjetër pos kthimit në dialog”, duke iu bërë thirrje palëve që të angazhohen në arritjen e kompromiseve të nevojshme,

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dy ditë pas sulmit në veri u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani duke kërkuar vazhdimin e dialogut me Serbinë.

“Ne duam ta shohim Marrëveshjen e Ohrit të zbatuar në plotni nga të dyja palët dhe mendojmë që dialogu është mënyra për ta arritur këtë. Do të vazhdojmë të punojmë me autoritetet në Kosovë e Serbi që të avancojmë në këtë drejtim”, tha ambasadori amerikan.

Hovenier tha më 9 tetor se është jetike dhe urgjente kthimi në dialog.

“Më duhet të besoj se nëse të dyja palët do të zbatonin plotësisht detyrimet e tyre sipas Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit Zbatues, rrethanat që pamë më 24 shtator nuk do të ndodhnin. Dhe kështu, nga këndvështrimi ynë, është jetike, është urgjente të kthehemi në një proces”, tha ai në një intervistë për Bloomberg.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde tha se “sulmi i tmerrshëm kriminal dhe terrorist” i 24 shtatorit “nënvizon nevojën urgjente për t’i vazhduar bisedimet e dialogut dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit tani”.

Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca kanë deklaruar mosgatishërinë e Kosovës për t’u kthyer si zakonisht në dialogun me Serbinë, pas sulmit të 24 shtatorit. “Sanksionet (ndaj Serbisë) fillimisht e më pas mund të diskutojmë”, ka thënë Presidentja. Dialogu tash “është në rend të tretë”, ka thënë Kryeparlamentari.

Por në fund të shtatorit, tri ditë pas sulmit në Banjskë, Osmani propozoi që së bashku me SHBA-në të hartohet një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që konsiderohet thelbësor nga bashkësia ndërkombëtare.

BE-ja e kërkon Asociacionin si hapin e parë që duhet ta bëjë Kosova për zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.