Në Komisionin “pa mandat” pati propozim edhe për kallëzim penal ndaj MTI-së

Me kritika të shumta për Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është zhvilluar mbledhja e Komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore. Anëtarët e partive opozitare e kritikuan ministrinë sa i përket mospërgjigjes së Ministrisë për dokumentacionet e kërkuara nga ky komision.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, pati edhe një ide se si të vazhdohet me trajtimin e këtij rasti.

“Propozimi im është që pavarësisht diskutimit sot ta kem pëlqimin e 1/3 të anëtarëve që e kemi bërë kërkesën në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, që menjëherë t’i drejtohemi gjykatës kompetente për me na siguru provat në fjalë e më pas në qoftë se prapë kemi refuzim nga ministria, mendoj që duhet të vazhdojmë menjëherë me kallëzim penal”, ka thënë Kica-Xhelili.

Kjo kërkesë nxiti përplasje ndërmjet Kica-Xhelilit dhe deputetit të VV-së, Salih Zyba.

“Këto shantazhe janë të papranueshme. Stop, stopi vjen prej neve. Mjaft kërcënove dhe shantazhove. Paralajmërimet që i tha kolegia po na detyron që mos me ndjekë rrugën e përbashkët. Nuk jemi për kuorum”, ka theksuar Zyba.

E deputetja e LDK-së ka reaguar duke thënë se kallëzimi penal është obligim i secilit qytetar që kur dyshon se ka ndodhur një vepër penale me raportu.

“Unë po them nëse ju mund të dini diçka e po ndihmoni me fshehë, jeni duke kryer vepër penale”.

Mbledhja e Komisionit në të cilën u zhvilluan të gjitha këto përplasje, sipas Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), ishte e jashtëligjshme.

“Mandati i këtij komisioni ka përfunduar më 21 mars të këtij viti, pasi kanë kaluar 6 muaj nga data e themelimit të tij nga Kuvendi më 21 shtator 2023. Sipas ligjit, në mënyrë që Komisionit hetimor t’i vazhdohet mandati, kryetari i komisionit duhet t’i drejtohet me kërkesë Kryesisë së Kuvendit, pas aprovimit të së cilës vazhdimi i mandatit të komisionit hetimor duhet të votohet në seancë. Prandaj, çdo mbledhje e këtij komisioni që mbahet pa iu vazhduar mandati nga Kuvendi, duke përfshirë edhe atë të mbajtur sot, janë të jashtëligjshme”, thuhet në interpretimin e KDI-së.

Përplasja mes deputetëve ka bërë që deputeti i VV-së, Salih Zyba, ta lëshojë mbledhjen duke pamundësuar kështu kalimin e propozimit të kryetarit të komisionit, Rashit Qalaj, që Kryesisë së Kuvendit t’i kërkohet vazhdimi i mandatit të këtij komisioni.