Osmani për masakrën ndaj familjes Berisha: Mosbzardhja e rastit është edhe më e rëndë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar masakrën ndaj 46 anëtarëve të familjes Berisha në Suharekë, të kryer nga forcat serbe, duke thënë se dhimbja nga moszbardhja e rastit është edhe më e rëndë.

Në reagimin e Presidencës thuhet se në kërkim të drejtësisë, respektit dhe ndaj viktimave, “nuk do të heshtim asnjëherë”.

“Nga kjo masakër e tmerrshme, Vjollca me të birin Gramozin dhe Shyhretja, shpëtuan dhe janë dëshmi e brutalitetit të regjimit kriminal serb. Në kërkim të drejtësisë, respektit ndaj viktimave dhe familjeve nuk do të heshtim asnjëherë. Drejtësia për viktima dhe zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë janë synim i vazhdueshëm”, thuhet në reagim për masakrën që ka ndodhur 25 vjet më parë.

Në reagim u tha se krimi u krye në pragun e shtëpisë së familjes Berisha nga forcat e regjimit gjenocial të Serbisë.

Presidentja: 25 vjet më parë, 46 anëtarë të familjes Berisha në Suharekë u masakruan në pragun e shtëpisë së tyre

25 vjet më parë, 46 anëtarë të familjes Berisha në Suharekë u masakruan në pragun e shtëpisë së tyre nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë.

Edhe më e rëndë është dhimbja nga fati i pazbardhur i një pjese të anëtarëve të familjes Berisha.