Kurti në Greqi: Serbia po përdor taktikat e Putinit – të bashkohemi ndaj elementeve që përbëjnë kërcënim për demokracinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron në Greqi, ku mori pjesë në panelin diskutues të organizuar nga The Economist, me temë “Thellimi i Solidaritetit: Si mundet Evropa të dalë më e fuqishme nga trazirat aktuale gjeopolitike?”.

Në fjalën e tij, Kurti theksoi se “momenti aktual, kërkon mbështetje të palëkundur për demokracinë dhe mbrojtësit e saj. Ne duhet të bashkohemi, si forca që kundërshton elementet destabilizuese që përbëjnë një kërcënim të madh për demokracinë”.

Pasi prezantoi dhe realitetin në Kosovë e sukseset e vendit tonë, Kurti shtoi se “demokracia është një realitet konkret për ne, por po ashtu janë edhe kërcënimet e paraqitura nga autokracitë, kryesisht Serbia, e ndihmuar dukshëm nga aleanca e saj me Putinin”.

Kurti shtoi se përtej çështjeve historike, rajoni verior i Kosovës, është shfrytëzuar si qendër për trafikun e drogës, kontrabandën e armëve dhe minierat e kriptomonedhave. /telegrafi/