Kosova pa kapitenin Rrahmani e titullarë të tjerë, si dhe me tre emra të rinj

Ashtu si pritej, lista e vonshme e përzgjedhësit të Kosovës, Primozh Gliha, kishte befasi. Përfaqësuesja e Kosovës zyrtarisht është grumbulluar të premten, ndërsa vetëm pasditen e së premtes është publikuar lista e lojtarëve të ftuar. Për shkak se në fundjavë ka ndeshje në të gjitha ligat evropiane, Federata e Futbollit e Kosovës ka pasur telashe me listën e lojtarëve. Klube të ndryshme evropiane nuk janë pajtuar që të lirojnë lojtarët, ndonëse ishin të obliguar që një gjë të tillë ta bëjnë të premten.

Në përfaqësueset e tjera grumbullimi zyrtarisht fillon të hënën, por për Kosovën ka nisur të premten për faktin se ndeshja e shtyrë me Izraelin është caktuar të luhet të dielën prej orës 20:45 në “Fadil Vokrri”.

Arsye për mungesën e disa lojtarëve vlerësohet të jetë pikërisht mosgatishmëria e klubeve për t’i liruar ata, me gjithë vendimin obligues të FIFA-s. Dhe mungesat janë të rëndësishme. Kosovës do t’i mungojnë disa titullarë në tri ndeshjet e nëntorit, duke përfshirë kapitenin Amir Rrahmani. Ai javë më parë ka kaluar një lëndim dhe po luan rregullisht për Napolin.

Pos Rrahmanit mungojnë edhe Edon Zhegrova, Leart Paqarada, Arbër Zeneli, Betim Fazliji, Ibrahim Dresheviqi… Të lënduar aktualisht janë Ismajl Beka e Albion Rrahmani.

Mungesat e rëndësishme i bëjnë edhe më sfiduese tri ndeshjet e fundit kualifikuese për ”Euro 2024”. Më 18 nëntor Kosova luan në udhëtim ndaj Zvicrës. Ndeshja zhvillohet në Basel. Ndërkohë më 21 nëntor Kosova i përfundon kualifikimet për Evropianin që vitin tjetër mbahet në Gjermani. Në Prishtinë përballet me Bjellorusinë.

Janë tre emra të rinj në përfaqësuese. Portieri i Dukagjinit, Kenan Haxhihamza, ka zënë vend pas pensionimit të Samir Ujkanit, që menjëherë u emërua zëvendësdrejtor i përfaqësueses. Pos Haxhihamzës prej portierëve janë edhe të zakonshmit Arijanet Muriq dhe Visar Bekaj.

Emër i ri është edhe sulmuesi i Llapit, Muhamet Hyseni, që ka shfaqur efikasitet të lartë këtë edicion. Në përfaqësuese u kthye Ermal Krasniqi, ndërsa sulmit sërish pritet t’i prijë Vedat Muriqi.

Për herë të parë u ftua edhe Alban Ajdini. 24-vjeçari paraqitet në fazën ofensive, ndërsa është pjesë e skuadrës zvicerane Lausanne Ouchy.

Në listën e Glihas janë pesë lojtarë të klubeve të Superligës, përkatësisht dy të Ballkanit, dy të Llapit e një i Dukagjinit. Sërish nuk ka pasur vend për asnjë lojtar të Dritës dhe klubi gjilanas nuk e ka kapërdirë këtë lehtë. Rron Broja, Muharrem Jashari e ndonjë tjetër vlerësohen me potencial për vend në përfaqësuese, sidomos pas mungesave të rëndësishme.

Përfaqësuesja të shtunën pasdite e zhvillon stërvitjen e vetme në fushë të blertë. Në “Fadil Vokrri” do të ketë një stërvitje edhe përfaqësuesja e Izraelit.

Ndeshja me Izraelin ishte shtyrë për shkak të situatës në Lindjen e Mesme. Vlerësohet ndeshje e ndjeshme, ndërsa masat e sigurisë tashmë janë shumë të mëdha. Masa të shtuara të sigurisë do të ketë edhe në stadium të shtunën e të dielën, e po ashtu në hotelin ku janë vendosur izraelitët, si dhe në rrugët deri në stadiumin “Fadil Vokrri”. Për Izraelin është ndeshja e parë pas situatës së krijuar në Lindjen e Mesme.

Kosova kishte barazuar 1:1 në Tel-Aviv me Izraelin më 25 mars. Aktualisht është e katërta në grup me shtatë pikë nga shtatë ndeshje. 11 pikë nga gjashtë ndeshje i ka Izraeli në vendin e tretë. Rumania udhëheq në grup me 16 pikë nga tetë ndeshje. Zvicra është e dyta me 15 pikë nga shtatë ndeshje. Bjellorusia ka gjashtë pikë nga tetë ndeshje, ndërsa Andorra i ka vetëm dy pikë nga tetë ndeshje.

Ndonëse me mungesa të rëndësishme, synimi i Kosovës është fitorja. Të paktën tifozët shpresojnë në tri pikë shumë të vlefshme.