Rritet dukshëm interesimi për pasaportë të Kosovës , qytetarët me padurim presin 1 janarin

51mijë e 356 qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për herë të parë , për paisje me pasaportë të Kosovës në bazë të të dhënave të siguruara nga ministria e punëve të brendshme . këto të dhëna të siguruara nga Radio Evropa e Lirë , mbulojnë periudhën 1 qershor – 6 nëntor të këtij viti dhe, sipas tyre, janë 51.365 qytetarë që kanë aplikuar për herë të parë për pasaportë. Në mesin e tyre dominojnë grup-mosha 0-2 vjeç dhe grup-mosha 18-22 vjeç

Ka intersim , por jo fluks masiv :

Në disa agjenci turistike në Kosovë pohojnë se ka rritje të interesimit të qytetarëve dhe grupeve të organizuara për oferta të udhëtimit në vendet e Bashkimit Evropian, pas 1 janarit, 2024, por, sipas tyre, nuk bëhet fjalë për ndonjë fluks masiv.

Blerina Gashi, nga agjencia turistike ajrore Eurokoha, thotë se në bazë të rezervimeve të deritashme, qytetarët në mesin e 20-tave janë më të interesuar për të udhëtuar.

Fatmire Beqiri, nga agjencia turistike Veneta Travel, thotë se ka filluar tashmë përgatitjet për udhëtime të organizuara pas 1 janarit.

“Interesimi për to është shumë i madh, pasi, deri më tash, ka pasur probleme për t’u pajisur me viza dhe shumë qytetarë as që kanë tentuar t’i grumbullojnë dokumentet e shumta për aplikim”, sipas Beqirit.

Ngjashëm pohojnë edhe në agjencitë që organizojnë udhëtime me autobusë.

Ruzhdi Kurtishaj, nga Sharr Travel, thotë se interesimi i vërtetë për të udhëtuar pritet të shihet nga dhjetori e andej

. Entuziazëm ka, por jo edhe mundësi ekonomike

Njohësi i integrimeve evropiane në Kosovë, Shenoll Muharremi, vlerëson se entuziazmi për të udhëtuar ekziston, por jo edhe mundësitë ekonomike, sipas tij.

“Aktualisht, jemi në një krizë të theksuar financiare të inflacionit dhe kjo mund ta zbehë potencialin e lëvizjeve”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, shton Muharremi, nuk përjashtohet mundësia që të rinjtë të interesohen ta braktisin Kosovën, në kërkim të mundësive më të mira.

Në vitet e fundit, mijëra kosovarë kanë marrë viza pune për në vendet e BE-së, e sidomos në Gjermani.

Vetëm vitin e kaluar, numri i vizave të punës të lëshuara nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë është rritur për 110% , në krahasim me vitin paraprak.

Muharremi thotë se institucionet e Kosovës duhet të kujdesen për t’i informuar qytetarët se liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune dhe, në rast se keqpërdoret, mund të ketë pasoja.

“Disa gjëra marrin më shumë kohë për t’u zbatuar, andaj një komunikim më intensiv do ta ndihmonte publikun e gjerë të kuptojë se liberalizimi i vizave nënkupton më shumë turizëm dhe biznes, e jo punësim dhe në raste ekstreme kërkesa për azil”, thotë ai.

Qeveria e Kosovës, nga 5 tetori, ka filluar fushatën informuese për liberalizimin e vizave, si në terren, ashtu edhe në mediat sociale.

Klisman Kadiu, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, konfirmon për REL-in se materialet informuese janë shpërndarë në lokacione të ndryshme në gjuhët zyrtare të Kosovës.

Sipas tij, fushata do të vazhdojë edhe pas janarit nëse është e nevojshme.