Rreziku i pirjes së duhanit për shëndetin është i njohur, përfshirë kancerin, emfizemën dhe sëmundjet e zemrës, për shumë njerëz , lënja e duhanit mund të jetë tepër sfiduese , madje në disa raste mund të ju duket e pamundur , por nuk është kështu ja disa këshilla efektive për lënjen e duhanit njëherë e përgjithmonë .
Përgatitja për të lënë duhanin
Për disa është më e lehtë të lënë duhanin kur caktojnë një datë finale dhe e shfrytëzojnë kohën e mbetur për t’u përgatitur për këtë. Për disa të tjerë është më e dobishme që ta lënë menjëherë.
Nëse ju vendosni sot se do ta lini duhanin pas 2 – 4 javësh, atëherë ju keni kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur. Vendosni nëse do ta pakësoni gradualisht pirjen e duhanit, apo nëse do të pini duhan si zakonisht deri në ditën kur do ta lini.
Deri në ditën kur do të lini duhanin, ju duhet të ndryshoni rutinën e pirjes së duhanit. Këtë mund ta bëni duke pirë duhan në orare dhe vende të tjera nga ato të zakonshmet.
Përpiquni të evitoni pirjen e duhanit në situatat tipike në të cilat ju pini duhan, për shembull, menjëherë pas të ngrënit. Kjo do t’iu ndihmojë që të hiqni dorë nga zakonet e pirjes së duhanit dhe të pakësoni gradualisht pirjen e tij.
Arsyet e forta sjellin motivim të mirë
Bëjini vetes këto pyetje:
- Pse doni ta lini duhanin?
- Për çfarë do të kurseni para nga lënia e duhanit?
- Cilat përfitime për shëndetin tuaj janë më të rëndësishme për ju?
- Çfarë pret më me gëzim?
Shkruani të gjitha arsyet që ju vijnë në mendje dhe mbajini pranë gjatë ditëve kur nuk ndiheni aq të motivuar.
Planifikoni për të përballuar dëshirën për të pirë duhan
Dëshira për të pirë duhan përfshin si abstinencën ashtu edhe rutinat e të pirit të duhanit. Dëshira për të pirë duhan kalon si rregull pas disa minutash. Ilaçet që përmbajnë nikotinë mund të ulin dëshirën e të pirit të duhanit, por edhe ju duhet të ndryshoni rutinat tuaja. Planifikoni se çfarë do të bëni në vend që të pini duhan kur ju vjen dëshira për këtë. Për këtë mund të bëni gjithçka, që nga pirja e një gote me ujë deri tek marrja në telefon e një shoku ose dalja për shëtitje.
Jeni në ankth për abstinencën nga nikotina? Shfrytëzojini ditët përpara lënies së duhanit për të folur me mjekun e familjes ose farmacistin për lloje të ndryshme të mjeteve ndihmëse. Është e dobishme të dëgjoni këshillat dhe të njiheni me përvojat e të njohurve tuaj që kanë lënë duhanin.
Si të përballoni tundimin për të pirë duhan
Mendoni për tundimet me të cilat do të përballeni. Në cilat situata do të jetë më e vështirë të shmangni pirjen e duhanit? Imagjinoni këto situata që më parë dhe vendosni për një ose më shumë zgjidhje të mundshme. Përgatisni planet tuaja “nëse – atëherë”:
- Nëse më ofrojnë që të pi duhan në një festë, atëherë do të them “jo faleminderit, unë nuk pi duhan”;
- Nëse kam dëshirë për të pirë duhan, atëherë do të pi një gotë ujë të ftohtë.
Zakonisht, ditët e para janë më të vështirat, prandaj mund të jetë një ide e mirë që të shmangni krejtësisht gjatë kësaj periudhe, situata dhe vende të caktuara.
Në ditën e lënies së duhanit – ndërprite duhanin krejtësisht!
Mos e thithni as edhe njëherë të vetme. Të gjitha shqetësimet e abstinencës që ju mund të përjetoni pasi të keni lënë duhanin do të kalojnë, me kusht që ju të mos pini duhan. Nëse ju pini duhan herë pas here, ju kurrë nuk do të shpëtoni nga dëshira për të pirë duhan.
Kujdesuni për ushqimin, lëngjet dhe aktivitetin fizik
Në javët e para pas lënies së duhanit, sheqeri në gjak mund të lëvizë dhe për këtë arsye është e rëndësishme që të hani siç duhet dhe në mënyrë të rregullt. Rekomandohet që të konsumohen katër vakte dhe vakte të ndërmjetme si për shembull fruta ose një fetë bukë e thekur.
Disa njerëz vërejnë se ata shtojnë në peshë pas lënies së duhanit. Bëni kujdes se me çfarë e zëvendësoni duhanin nëse dëshironi që ta shmangni shtimin në peshë.
Pini ujë për të shuar etjen dhe më shpesh se zakonisht. Një gotë ujë mund të ndihmojë kundër dëshirës për të pirë duhan.
Merruni me aktivitet fizik më shumë se zakonisht. Ecja me ritëm të shpejtë i lehtëson shqetësimet e abstinencës dhe pengon shtimin në peshë.
Mërzia kalon
Ditët e para janë më të vështirat, por për shumicën e njerëzve shqetësimet e abstinencës kalojnë brenda 2 – 4 javësh. Ilaçet me nikotinë ose ilaçet me recetë mund të lehtësojnë shqetësimet e abstinencës.
Juve mund t’iu pushtojë mërzia dhe të mendoni se gjithçka ndjehet e rëndë dhe e trishtë gjatë kohës që trupi dhe sistemi i shpërblimit i trurit përshtaten për jetën pa nikotinë. Por, kjo kalon nëse ju jeni këmbëngulës.
Shpërblimet
Shpërblejeni veten për këmbënguljen për të mos u tërhequr nga vendimi juaj. Grumbulloni veçmas paratë që do t’i kishit shpenzuar për duhan për të blerë diçka që dëshironi. Fillimi është më shpesh pjesa më e vështirë, prandaj, jepjani vetes shpërblimin e parë që pas një dite. Mos prisni shumë gjatë për të dhënë shpërblimin e dytë.
Përdorni ilaçe ose mjete të tjera ndihmëse
Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë rekomandon që duhani të lihet me ndihmën e ilaçeve për lënien e duhanit dhe këshillave nga profesionistë të fushës. Ilaçet që përmbajnë nikotinë lehtësojnë shqetësimet e abstinencës gjatë lënies së duhanit dhe dyfishojnë mundësinë e suksesit. Është e rëndësishme që të respektoni dozën e rekomanduar. Gabimi më i zakonshëm kur përdorni ilaçe me nikotinë është përdorimi i dozave më të ulëta se ç’duhen. Pyesni në farmaci.
Ju mund të merrni këshilla mbi lënien e duhanit në qendrën e mirëqenies në komunën tuaj. Mjeku i familjes, Zyra e Punës dhe Mirëqenies (NAV) ose një punonjës tjetër i shëndetësisë mund të dërgojnë një rekomandim tek qendra e mirëqenies, ose ju mund të kontaktoni vetë qendrën drejtpërsëdrejti. /RadioVizioni/