FOL: Qeveria realizoi vetëm 36% të aktiviteteve të parapara të përfundojnë në vitin 2023

Lëvizja FOL ka publikuar një raport sipas të cilit vetëm 36 për qind e aktiviteteve të parapara për vitin vitit 2023 janë përfunduar nga Qeveria e Kosovës.

Në një konferencë për media të publikuar të mërkurën, ku janë publikuar të dhënat nga monitorimi i Planit vjetor të punës së Qeverisë, tashmë i quajtur Plani Kombëtar për Zhvillim.

Në vitin 2022, niveli i zbatimit të Planit të punës së Qeverisë ka qenë 49 për qind, ndërsa në vitin 2021, ishte 56 për qind.

Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL, ka theksuar se edhe këtë vit FOL-i ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara në Planin Kombëtar për Zhvillim.

“Qeveria e Kosovës nga 655 aktivitete të parapara të realizohen brenda periudhës janar-dhjetor 2023 ka arritur të realizoj vetëm 234 apo 36%, nuk i ka realizuar 151 apo 23 %, dhe nuk kanë kthyer përgjigje për 270 aktivitete apo 41 %”, është shprehur Kastrati duke shtuar se numrin e madh të aktiviteteve pa përgjigje e kanë shtuar edhe tri ministri që nuk janë përgjigjur fare e që kanë pasur një numër të madh të aktiviteteve të parapara.

Kastrati ka theksuar Zyra e Kryeministrit, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk janë përgjigjur fare në pyetësorin e dërguar nga ta, dhe gjithashtu një numër i madh i ministrive kanë lënë pyetje pa përgjigje.

Gjithashtu, Kastrati ka shpjeguar se të gjitha aktivitetet e parapara të përfundojnë brenda periudhës janar-dhjetor 2023 përmes pyetësorëve iu janë dërguar sekretarëve të përgjithshëm të ministrive. Pra, sipas saj, të dhënat e prezantuara, janë të dhëna të marra direkt nga personat përgjegjës për realizimin e këtyre aktiviteteve.

Ndërkaq Viona Bunjaku, monitoruese në Lëvizjen FOL, prezantoi të dhënat për secilën ministri sa i përket realizimit të aktiviteteve të parapara të përfundojnë brenda vitit 2023.

Sipas Bunjakut, ajo çka duhet theksuar është se shumë nga ministritë kanë dërguar dhe informacione shtesë sa i përket realizimit të planit, mirëpo FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara të përfundojnë gjatë vitit 2023 dhe jo ato që kanë filluar në vitin 2023 dhe janë paraparë të përfundojnë përgjatë tri viteve pra deri në vitin 2025. / EO