Kusari-Lila: Opozita të reflektojë për rezultatin e vet zgjedhor para se të kërkojë zgjedhje

Opozita duhet të reflektojë mbi rezultatin e fundit zgjedhor para se të kërkojë zgjedhje të reja, ka thënë shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.

Në një konferencë për media, Kusari-Lila ka shtuar se nuk ka nevojë për përfundim të hershëm të mandatit të Qeverisë.

“Listuam të arriturat e kësaj legjislature dhe sfidat me të cilat është përballur, që janë të jashtme por ka pasur dhe të brendshme. Megjithatë nuk e konsiderojmë që ka hapësirë ose nevojë për dorëheqje apo përmbyllje të mandatit të Qeverisë. Kemi opozitën që prej fillimit ka kërkuar zgjedhje të reja, në mungesë të çfarëdo alternative për reflektim të vetin të brendshëm në raport me rezultatin zgjedhor për të cilin ata duhet të bëjnë pyetje përbrenda dhe jo në Kuvend, apo të kërkojnë shkuarjen në zgjedhje”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila ka potencuar se opozita nuk është serioze në kërkesën për zgjedhje të reja. Sipas saj, tri grupet parlamentare opozitare po paraqesin qëndrime të ndryshme rreth zgjedhjeve e kjo tregon joseriozitet.

“Janë dy mënyra forma për të shkuar në zgjedhje, njëra me mocion mosbesimi që ata që e dorëzojnë duhet t’i kenë votat. Forma tjetër është shpërbërja e Kuvendit, proces që vjen nga një dialog i brendshëm që nuk po e ndjejmë në aspektin e seriozitetit nga opozita. Sepse nëse vërtetë e kanë seriozisht shkuarjen në zgjedhje do duhet të kishin konsistencë mes deklarimeve të tyre. Janë tri grupe parlamentare me tri deklarime të ndryshme për zgjedhjet. Një nismë të GP të AAK për mocion mosbesimi, një kërkesë të PDK-së për kryeministrin që të sjell nënshkrime për shpërndarje të Kuvendit dhe një refuzim nga rruga e re me metoda të vjetra të LDK-së që ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit po nuk do t’i japin nënshkrimet për këtë çështje. Le që nuk kanë vota por as konsensus, duket se bëhet vetëm për konsum publik”, ka përfunduar Kusari-Lila.