Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll sot do luaj ndeshjen e fundit kualifikuese për Evropianin që zhvillohet prej 15 deri më 28 korrik në Irlandën e Veriut.
“Dardanëve” të rinj u duhet fitorja ndaj Sllovenisë. Por edhe fitorja mund të mos u mjaftojë për kualifikim, pasi kualifikimi varet edhe nga ndeshja tjetër në mes të Austrisë dhe Spanjës.
Kosovës U19 për t’u kualifikuar i duhet ta fitojë ndeshjen ndaj Sllovenisë, ndërsa Austria ta mposhtë ose ta ndalë në barazim Spanjën. Ndeshjet Sllovenia – Kosova dhe Austria – Spanja zhvillohen sot prej orës 12:00. Ndeshja e Kosovës është në Lendava të Sllovenisë.
Kosova U19 e nisi raundin elitar të kualifikimeve me fitoren 1:0 ndaj Austrisë, më 20 mars. Të shtunën pësoi 2:1 nga Spanja.
Në grup udhëheq Spanja me katër pikë. Kosova e Austria i kanë nga tri pikë, ndërsa Sllovenia e ka një. Sllovenia tashmë është e eliminuar. Vetëm fituesi i grupit avancon në Evropian.