Procesi i licencimit nxjerr nga loja federatat pa aktivitete

Federata e Lundrimit e Kosovës ka kryer punë të madhe vite më parë për Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK). Me pranimin e Federatës së Lundrimit të Kosovës në atë Ndërkombëtare, KOK-u pati plotësuar kushtin teknik për aplikim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Por, Federata e Lundrimit e Kosovës dhe disa federata të tjera të formuara përgjatë viteve të kaluara, nuk kanë aktivitete e disa vetëm në raste. 

Federata e Lundrimit, e kërlingut, e peshëngritjes, skermës, pentatlonit modern, minigolgit, shigjetarisë, mundje krahu, e teqbollit, nuk kanë marrë licencë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Rrezikojnë të pezullohen edhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).

“Me propozim të nënpresidentit Milaim Kelmendi, kryetar i Federatës së Skitarisë së Kosovës, u diskutua për Federatat pa aktivitete, ku me shumicë absolute u vendos që ato federata që nuk kanë aktivitete në gjashtë muajt e ardhshëm të ftohen në BE për diskutim dhe të shqyrtohet edhe mundësia për suspendim nga asambleja”, shkruan në njoftimin e KOK-ut, pas përfundimit të Asamblesë së Përgjithshme të Punës për vitin 2023, në të cilën u miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës.

Të pranishëm në asamble të mërkurën ishin 72 delegatë nga 88 me të drejtë vote.

“Federatat që nuk kanë licencë, nuk kanë pasur ftesë për pjesëmarrje në asamble. 

Pentatloni modern, kërlingu, minigolfi nuk është se kanë pasur aktivitete. Peshëngritja është në proces të licencimit. Edhe shigjetaria ka nisur procesin e licencimit. Teqbolli ka qenë vetëm në Lojërat Evropiane. Federata e Lundrimit gjatë verës pati postuar disa fotografi nga aktivitetet”, ka thënë një zyrtar i Komitetit Olimpik të Kosovës në kushte anonimiteti.

Në fakt, prej 55 federatave sportive, që janë pjesë e Komitetit Olimpik të Kosovës, procesit të kategorizimit i janë nënshtruar 35 federata.

Ky numër është më i vogël se ai i federatave që ishin kategorizuar për vitin e kaluar. Të kategorizuara vitin e kaluar ishin 42 federata.

“Procesi i licencimit ka bërë që shumë federata ta shuajnë në një formë aktivitetin. Kanë mbetur prapa licencimit dhe kështu kanë mbetur pa fonde dhe pa organizim të aktiviteteve”, ka vazhduar tutje zyrtari i KOK-ut.

Sportet ndahen në katër kategori, ndërsa për kategorizim përdoren kritere të ndryshme. Sportet e kategorisë A kanë përfitim më të madh financiar nga MKRS-ja. Më pak marrin sportet e kategorisë B dhe kështu me radhë. Kriteret që shfrytëzohen për kategorizim janë: organizimi i garave ndërkombëtare, rezultatet në garat ndërkombëtare, masiviteti, statusi i sportit, gjithëpërfshirja, popullariteti i sportit, tradita, ngritja e kapaciteteve, aktiviteti vendor.

Shumë prej federatave varen plotësisht nga mjetet që marrin prej buxhetit të shtetit.  Dhe, në vitet e fundit kanë marrë goxha shumë. Por të drejtën për të përfituar financiarisht e kanë vetëm federatat e licencuara.