Nuk është përjashtuar mundësia që në ligjin për paga ndonjë pozitë në sektorin publik të ketë edhe ulje pagash. Sipas zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, për këtë rast është paraparë edhe “mekanizmi i parashikueshmërisë” që parasheh se zbritja e pagave të bëhet në mënyrë graduale.
Qeveria të mërkurën vendosi që të kthejë pagat në këtë sistem sikur para rritjes prej gati dyfish që kishte vendosur Haradinaj. Vendimi i parapriu miratimit të projektligjit për paga, që i është dërguar Kuvendit për miratim. Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, Dobra ka arsyetuar vendimin duke thënë se po respektohet Kushtetuta.
“Në rast se dikujt i zbriten pagat, ne kemi paraparë atë që është mekanizmi i parashikueshmërisë dhe zbritja e pagave për ata që potencialisht mund t’u zbriten pagat do të bëhet në mënyrë graduale. Në vitin e parë, kur hyn në fuqi ligji për pagat, do ta marrin pagën e njëjtë sikur deri në atë moment, në vitin e dytë do ta marrin 50 për qind të diferencës së zbritjes do të vazhdojnë ta marrin”, ka thënë ai.
Nga zbritja e pagave, sipas draftit, do të pësojnë pozitat e larta drejtuese. Posti i presidentit pritet të ketë pagën më të lartë në vend.
Ai ka thënë se me projektligjin për paga “dallimi mes koeficientit më të lartë dhe më të ulët nga 20 do të bjerë në më pak se pesë”.
Dobra ka thënë se projektligji për paga parasheh që vlera e koeficientit të caktohet me ligjin për buxhetin.