Çedomir Jovanoviq Presidenti i Partisë Liberal-Demokratike në Serbi, ka njoftuar se do t’u hyjë zgjedhjeve të reja në Serbi nën sloganin “Duhet ndryshe” dhe me një kampanjë në të cilën synon t’ua tregojë qytetarëve serbë të vërtetën për Kosovën e pavarur.
Jovanoviq ka njoftuar se ka vendosur të hyjë në zgjedhje për shkak të ngjarjeve të 24 shtatorit në Banjskë dhe heshtjes së Serbisë ndaj tyre, si dhe se nuk dëshiron të jetojë në një shtet ku qytetarët zgjedhin mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Dragan Dilashit, shkruan “Danas”.
“Nuk do të gënjej popullin për Kosovën, që të ofroj ndonjë rrugë më të lehtë, sepse në fund të asaj rruge do të zhdukeshim”, ka thënë Jovanoviq
Jovanoviq ka thënë se gjatë fushatës për zgjedhjet e 17 dhjetorit do të shkojë edhe në Kosovë për t’i vizituar familjet e serbëve të vrarë dhe familjen e policit të vrarë nga sulmi terrorist në Banjskë.
Ka shtuar se nuk e respekton Kishën Ortodokse Serbe.
Jovanoviq ka vite që njihet si ndër politikanët e rrallë serbë që e njohin pavarësinë e Kosovës.