Sot përmbyllet fushata e informimit për liberalizimin e vizave

Sot përmbyllet fushata e informimit për liberalizimit e vizave për Kosovën. Kampanja përmbyllëse mbahet në Sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë nga ora 10:00 deri 15.00 .

“Kamioneta jonë do të jetë në shërbimin tuaj për tju informuar dhe mundësuar të bëheni pjesë e kuizit dhe të fitoni një udhëtim në Vjenë me datën 1 Janar 2024. Shorteu i atyre që kan qëlluar 5 pyetjet e sakta do të mbahet LIVE të hënën në emisionin e mëngjesit në RTK.”, thuhet në njoftim.

Ndryshe nga 1 janari 2024 qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë drejt zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtra. Udhëtimi pa viza nënkupton se mund të udhëtoni lirshëm në shtetet e zonës Shengen, por nuk do të mund të punoni.

Nga janari qytetarëve të Kosovës u mundësohet të udhëtojnë pa vizë për qëndrime të shkurtra në zonën Shengen, për shembull, si turist, për të vizituar miqtë ose familjen, për të marrë pjesë në ngjarje kulturore ose sportive, takime afariste, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet të ngjashëm.

Parlamenti Evropian miratoi në prill të këtij viti vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, me çka edhe procedurat vendimmarrëse për këtë çështje u përmbyllën. Miratimi në Parlamentin Evropian ishte bërë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.