Në dy muajt e fundit janë shtuar rastet e largimit nga lista e përfituesve të skemës sociale në Komunën e Podujevës. Janë 23 raste që komisioni mjekësor i ka larguar nga lista në muajt shtator e tetor. Zyrtarët e Qendrës për Punës Sociale në këtë komunë thonë se komisioni mjekësor nuk e merr parasysh gjendjen e rëndë sociale të shfrytëzuesve. Zyrtarët komunalë kanë thënë se kjo është kompetencë e nivelit qendror. Ndërkohë në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve nuk janë përgjigjur.
Janë më shumë se 20 familje të Komunës së Podujevës që janë larguar nga skema sociale në dy muajt e fundit, pasi komisioni mjekësor i ka vlerësuar të aftë për punë dy kryefamiljarët në të gjitha këto raste.
Për arsye të njëjtë është larguar nga skema sociale edhe Fitim Ademi, që jeton në rrugën “Ulqini” në Podujevë.
Pavarësisht se thotë se është i sëmurë ai dhe gruaja e tij, komisioni mjekësor ka dhënë vlerësim tjetër.
“Ma kanë ndërprerë, shkaku që demek shoqja është e aftë për punë. Nëse shoqja është e aftë për punë, atëherë pse nuk ma punësojnë shoqen. Po unë e di që shoqja nuk është e aftë për punë se në dy lindje është bërë operacion, domethënë 2 herë është bërë operacion. Janë kanë zyrtarët që punojnë në Qendrën për Punë Sociale, i kam shti brenda me pa gjendjen. Edhe unë nuk e di pse ma kanë ndërpre socialin kur unë e kam pas deri më 1 janar 2023 me marrë socialin, e kam edhe kartonin”, ka thënë Fitim Ademi, ish-shfrytëzues i ndihmës sociale.
Në Komunën e Podujevës kanë thënë se kjo çështje është kompetencë e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.
“Ata i kanë disa kritere të cilat e bëjnë përzgjedhjen edhe vazhdimisht i freskojnë listat për ata të cilët e meritojnë socialin dhe për ata të cilët duhet të largohen nga ky social dhe nuk varen prej neve. Në bazë të këtyre kritereve dhe në bazë të diagnozave nga mjekët të cilët e konstatojnë se kush duhet marrë social e kush jo, ata e bëjnë vlerësimin e tyre dhe ky komision ngrihet nga Ministria e Financave dhe pastaj shpërndahet në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës”, u shpreh zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.
KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve që nga 21 tetori, por e njëjta nuk është përgjigjur.
Në Qendrën për Punë Sociale në Podujevë, kanë theksuar se muajt e fundit janë shtuar rastet që komisioni mjekësor po i largon nga ndihma sociale shumë familje.
Fadil Berisha i cili është i autorizuar si ushtrues detyre i drejtorit në këtë Qendër, ka thënë se Fitim Ademit i është refuzuar asistenca sociale edhe pas ankesës në shkallën e dytë.
“Pasi që tash Fitim Ademi është i aftë, sipas komisionit mjekësor, për punë edhe bashkëshortja e tij, sipas ligjit mbi skemën e ndihmave sociale nuk lejohet që dy anëtarë të aftë për punë t’iu vazhdohet ndihma sociale. Ky është një problem që na përcjell ne si Qendër. Ne me të vërtetë kemi dëshirë që t’u ndihmojmë rasteve të varfra dhe rasteve të rënda që janë, por ligji ekzistues nuk lejon kur ka dy të aftë për punë në familje t’u vazhdohet ndihma sociale, pa marrë parasysh gjendja ekonomike në të cilën jeton familja”, ka thënë ushtruesi i drejtorit në QPS, Fadil Berisha.
Ai ka theksuar se duhet të ulen bashkërisht me Ministrinë, komisionin mjekësor dhe Qendrën për Punë Sociale për të gjetur një zgjidhje për familjet me gjendje të rëndë ekonomike dhe të mos refuzohen automatikisht nga komisioni mjekësor.