Shumica e nxënësve me nevoja të veçanta në Podujevë s’e kanë filluar ende mësimin

Shtatëmbëdhjetë nxënës me nevoja të veçanta nga Komuna e Podujevës sivjet nuk e kanë zhvilluar asnjë orë mësimi. Shkak për këtë është bërë vonesa e një kontrate që do t’ua siguronte këtyre nxënësve transportin deri në shkollën “Kongresi i Manastirit” në fshatin Gllamnik.

Në këtë shkollë janë të bashkangjitura dy klasa me nxënës që i përkasin kësaj kategorie të shoqërisë. E ajo thotë se tashmë e ka marrë malli për shkollën.

“Unë jam në klasën e katërt në shkollën e Gllamnikut. Nuk kam mundur të shkoja (në shkollë) asnjë ditë hiç shkaku i transportit që nuk na u ka bërë”, është shprehur një nxënëse.

Drejtori i shkollës, Sedat Abdullahu, thotë se aty, të ndarë në dy klasa, janë 17 nxënës me nevoja të veçanta që nuk kanë mundur të integroheshin në shkollat së cilave u përkasin territorialisht. Ai ka treguar se vetëm prindërit e katër prej këtyre nxënësve i sjellin vetë fëmijët në shkollë nga pjesë të ndryshme të Podujevës.

“Një numër i nxënësve ka filluar me iniciativën e vetë prindërve, domethënë me transport privat të tyre. Pjesa tjetër e nxënësve që i regjistrojmë, ne i kemi gjithsej 17 nxënës të regjistruar, sipas informatës dhe kontakteve të rregullta që kam me DKA-në, drejtorin dhe personelin tjetër të DKA-së, për shkak të procedurave të prokurimit ende nuk ka filluar transporti publik për këta nxënës”, ka thënë Abdullahu.

Zyrtarët komunalë në Podujevë kanë thënë se rritja e çmimit të naftës dhe ankesat e operatorëve kanë ndikuar në vonesën e një kontrate që do ta siguronte transportin për nxënësit.

“Rritja e çmimit të naftës ka ndikuar që të ketë vonesa në lidhjen e kësaj kontrate për bartjen e nxënësve me nevoja të veçanta dhe nxënësit e tjerë. Po shpresojmë që shpejt kjo kontratë të lidhet, pasi që Organi Shqyrtues i Prokurimit t’i shqyrtojë ankesat nga operatorët, të cilët nuk e kanë fituar kontratën”, ka thënë Fatri Zhitia, zëdhënës në komunën e Podujevës.

E drejtori Abdullahu është zotuar që bashkë me Drejtorinë e Arsimit të gjendet një zgjidhje për kompensimin e orëve të humbura mësimore për këta nxënës.