Podujeva cakton lokacionin për stacion të autobusëve në pronën që ia konteston AKP-ja

Në pronë të kontestuar pritet të fillojë ndërtimi i stacionit të ri të autobusëve në Komunën e Podujevës.

Kuvendi Komunal në seancën e fundit ka marrë vendim për caktimin e lokacionit për stacionin, e që është në pronën që dikur e kishte shfrytëzuar ish-ndërmarrja shoqërore “Fapol”.

Prona është e regjistruar në emër të Komunës së Podujevës.

Por këtë është duke e kontestuar Agjencia Kosovare e Privatizimit, e cila më 31 maj 2016 kishte ushtruar padi kundër Komunës me propozim për caktimin e masës se sigurisë dhe për vërtetimin e pronësisë për parcelën kadastrale nr. 1541., me sipërfaqe prej 2 hektarësh.

“Prona në fjalë aktualisht në regjistrin e paluajtshmërive evidentohet në emër të Komunës së Podujevës. AKP me rastin e ushtrimit të padisë kishte kërkuar edhe caktimin e masës së sigurisë me propozimin që Komuna e Podujevës të mos ndërmarrë asnjë veprim në këtë pronë, por kërkesa ishte refuzuar nga Gjykata e Podujevës dhe nga Gjykata e Apelit. Andaj, rrjedhimisht edhe pse ende nuk është vendosur në mënyrë meritore, AKP nuk ka mundësi të tjera ligjore që të ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me ndërtimet eventuale nga Komuna”, thuhet nga AKP-ja.

Mirlinda Gashi, zyrtare për marrëdhënie me publikun në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në një përgjigje me shkrim ka thënë se nga data 17.12.2020 lënda në mes AKP-së dhe Komunës së Podujevës është dërguar në kompetencë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.

E zyrtarët komunalë thonë se kontesti pronësor nuk e pengon Komunën për ta realizuar këtë projekt.

“E dimë që pjesa është në kontest gjyqësore. Mirëpo, përderisa gjykata nuk ka nxjerrë një vendim të formës së prerë dhe gjithashtu gjykata nuk ka vendosur një masë të sigurisë, ne si komunë e kemi të drejtën e plotë që të marrim vendime për shfrytëzimin e asaj parcele”, u shpreh Bahri Selimi, drejtor për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim.

Ndërtimi i këtij stacioni pritet të bëhet në bashkëfinancim ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Komunës së Podujevës dhe pritet të kushtojë rreth 1 milion euro.

Në të njëjtin vend në vitin 2017 ish-pushteti komunal kishte provuar të nisë ndërtimin e një palestre sportive, por ishte penguar nga zyrtarët e kompanisë që i ka privatizuar objektet e ish-ndërmarrjes “Fapol”.

KOHA ka kontaktuar pronarin e kompanisë “Jaha Company”, Jahir Hoxha, por ai ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen nëpërmjet postës elektronike, por pastaj nuk ka kthyer përgjigje.

Kjo hapësirë për dhjetë vjet rresht pas luftës ishte shfrytëzuar si terminal doganor.