Ministri i Mbrojtjes së Italisë javën e ardhshme viziton Kosovën

Ministri italian i mbrojtjes, Guido Crossetto javën e ardhshme do të qëndrojë për vizitë në Kosovë.
Këtë e ka pranuar vet ai mbrëmjen e vonshme të së mërkurës në një deklaratë dhënë Televizionit Rai, gjegjësisht emisionit “Porta a Porta”.

Siç ka thënë Crossetto, ai do të jetë për vizitë në shoqëri të Antonio Tajani, Ministër i Jashtëm dhe Zëvendës-kryeministër.

“Ka rrezik për një përshkallëzim të mëtejm të situatës në Kosovë për shkak të krizës që u përshkallëzua nga targat e autoveturave. Shoh një situatë që po përshkallëzohet në raportin Kosovë – Serbi, gjë që po na shqetëson mjaft shumë. Kësisoj, kemi vendosur që së bashku me ministrin Antonio Tajani të shkojmë në vizitë zyrtate javën e ardhshme si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi – sepse besojmë se është e dobishme prania jonë për të sjellë atje paksa arsyeshmëri”, ka thënë ndër të tjerash Crossetto.

Ky i fundit, komentoi edhe çështjen e targave, duke e etiketuar si një budallaki të llojit të vetë.

“Kemi komandën e misionit të KFOR-it. Jemi kontingjenti kryesor në atë zonë. Gjithmonë kemi kontribuar që ta ruajmë paqen. Për një budallallëk siç është çështja e targave të autoveturave – po ndodhin gjëra të rënda, të cilat nuk do dëshiroja që të kishin pasoja më të mëdha”.