Pas vendimit të Kryeministrit Albin Kurti për uljen e pagave të gjykatësve dhe prokurorëve, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), do të mbajë sot mbledhje të jashtëzakonshme në ora 16:00.
Qëllimi i kësaj mbledhje është diskutimi i situatës së krijuar pas vendimit të Kurtit për pagat dhe hapat që KGJK do të ndërmarrë në lidhje me këtë vendim.
“Diskutim lidhur me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për uljen e pagave të gjyqtarëve (e mbyllur) “, është kjo pika e vetme rendit të ditës në KGJK.
Ndryshe, sot në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Albin Kurti mori vendim me të cilin, pagat në sistemin e drejtësisë u kthyen siç ishin para vendimit të marrë në vitin 2017, nga Qeveria Haradinaj.
“Kushti i paraparë për përjashtim të këtij ligji është plotësuar me nxjerrjen e aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese me ligjin e atëhershëm për paga, rrjedhimisht për të sjellë ligjshmëri plotësojmë këtë vendim duke shfuqizuar nenet relevante”, ka thënë Kurti.
Pas miratimit të Projektligjit për Pagat, Kryeministri Kurti, tha se ky projektligj krijon sistem të unifikuar të pagave.“Propozimi i sotëm i kushton rëndësi të madhe kualifikimeve. Askush nuk mund të paguhet më shumë sesa pesëfishi u pagës më të ulët në administratën tonë”, ka thënë Kurti.