Lirimi i infermierëve, reagon vajza e të moshuarës: Gjykata ‘dhunoi’ për të dytën herë nënën time
Gjykata Supreme ka liruar sot nga paraburgimi tri infermieret e përfshira në sulmin fizik ndaj një të moshuare në Pejë, ndërkaq lidhur me këtë ka reaguar sot vajza e të moshuarës, Zhaneta Nura.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se vendimi për lirimin e të pandehurave nga paraburgimi ditën e sotme nga Gjykata Supreme e Kosovës vetëm sa e ka thelluar plagën.
“Vendimi për lirimin e të pandehurave nga paraburgimi ditën e sotme nga Gjykata Supreme e Kosovës, plagën tonë në zemër vetëm sa e ka thelluar.
Shoku i shkaktuar nga pamjet e dhunës që i ushtrohet nënës time, për ‘Gjykatën Supreme’ paska qenë lehtë i gëlltitshim dhe me këtë veprim kjo gjykatë ‘dhunoi’ për të dytën herë nënën time!”, shkruan Zhaneta, raporton Telegrafi.