Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka thënë policët serb që kanë dhënë dorëheqjen mund të kthehen në punë me një vendim të Qeverisë.
Mirëpo, ai thekson se Drejtori i Policisë në veri dhe shefi i operacioneve që kanë marrë mirënjohje nga presidenti i Serbisë nuk duhet lejuar të punojnë sërish për institucionet e Kosovës.
Madje sipas tij, për këtë mund të ketë marrëveshje edhe në Bruksel. Por sipas tij, deputetët nuk mund të kthehen më në Kuvend, ngase kështu e përcakton ligji.
“Nëntë deputet e Listës Serbe janë kthyer që kanë qenë në pritje. Ata që kanë dhënë dorëheqje nuk kanë mundësi të kthehen më. Sa i përket policëve unë mendoj që policët do të kthehen sepse ka hapësirë ligjore.Me një vendim të qeverisë dhe një marrëveshje në Bruksel që do të negociohet. Çështja e eprorëve është punë e kryer. Drejtori i Policisë në veri dhe shefi i operacioneve që kanë marrë mirënjohje nga presidenti i Serbisë nuk duhet lejuar të kthehen në institucione”.
Vendimin e Qeverisë për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, Qalaj e konsideron goditje të madhe për sistemin e drejtësisë.Ai poashtu e quajti kryeministrin Albin Kurti filozof, duke shtuar se është vështirë për ta kuptuar.Madje rekomandon që për policët dhe ushtarët duhet të ketë ngritje të dukshme të pagave, raporton EO.
“Unë e konsideroj si një goditje ndaj sistemit të drejtësisë. Edhe ashtu sistemin e drejtësisë e kemi pasur mjaft fragjil. Ka disa vjet që prokurorët dhe gjyqtarët janë stimuluar që të kenë rezultate më të mira nga ish qeveria e kaluar. Dhe unë mendoj që kryeministri Kurti i kanë dhënë goditje mjaft të madhe institucioneve të drejtësisë. Kryeministri është një filozof dhe është vështirë me kuptuar”.
“Ajo çka kuptohet është se i ka bërë goditje sistemit të drejtësisë. Për policë dhe ushtarë jo vetëm që duhet të ketë ngritje pagash por duhet të ketë ngritje të dukshme të pagës. Nëse një pagë aktuale që merr polici 400 euro dhe me Ligjin e pagave me aq sa kam parë është e pamjaftueshme dhe ky koeficient duhet të jetë shumë më i madh për policinë, ushtrinë e institucione tjera”, tha Qalaj