Krasniqi: S’pres dorëheqje nga askush në Qeverinë Kurti, s’kanë integritet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka theksuar se hapi i parë që Qeveria e Albin Kurtit, do të duhej të bënte pas vrasjes së shtatzënës në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë, është ta pranonte fajin për këtë rast.

Ai në një postim në Facebook ka theksuar se nuk pret llogaridhënie e dorëheqje nga asnjë zyrtar i Qeverisë Kurti.

“Hapi i parë për të rregulluar diçka është ta pranoni fajin. Ju vazhdoni të shfajësoheni, duke bërë të gjithë fajtorë, opozitën, shoqërinë, mësuesit, policinë, gjykatësit, mjekët, por asnjëherë, ama asnjëherë, veten dhe ministrat e tu … unë nuk pres dorëheqje as llogaridhënie nga askush në Qeverinë tënde. Për të dhënë dorëheqje, duhet të kesh integritet, moral dhe etikë, të jesh i përgjegjshëm e profesional. Ju nuk keni këso profile në kabinetin tuaj. Keq, shumë keq!”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka kritikuar Kurtin për reagimet për këtë rast. “Prej skandalit në skandal! Pas një reagimi jodinjitoz e fyes mbrëmë, Kryeministri sot paska fajësuar tërë shoqërinë për rritjen e dhunës në familje. Po thotë se kemi pak policë e shumë familje. E para, 18 prej atyre policëve, Kryeministër, i mban vetëm ti personalisht për mbrojtjen tënde, nuk e di se prej kujt po mbrohesh?”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij me këtë lloj qeverisje dhe me këtë trend të ikjes së të rinjve gjatë mandatit të Kurtit, shumë shpejtë Kosova do të ketë përgjysmë më pak familje e përgjysmë më pak policë.

Kryetari i PDK-së, kritika ka pasur edhe për mungesën e Ministrit të Shëndetësisë.

”Sot janë bërë 101 ditë pa Ministër të Shëndetësisë. Një zonjë, që priste të bëhej nënë për herë të parë, nuk arriti ta mbajë asnjë sekondë në duar foshnjën e saj sepse u vra mizorisht, bashkë me foshnjën, në një institucion publik, i thirrur për të shpëtuar jetë”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka pyetur se ku është reagimi shtetëror e ku është dorasi. “Kush do të merret me të, edhe nëse arrini që ta kapni? Sistemin gjyqësor e ke në grevë, për shkak të inateve dhe tekeve tua krejt personale”, ka shkruar Krasniqi.