Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënës e arsimi do të vazhdojë të jetë prioritet për qeverinë lokale.
Në përurimin e objektit të ri të paraleles së ndarë të shkollës “Ali Ajeti” në fshatin Ballofc të Podujevës, Bulliqi u shpreh të enjten se investimet në këtë sektor nuk do të mungojnë as në të ardhmen.
Gjatë kësaj ceremonie, ka thënë se i ka rastis të jetë në këtë fshat për herë të dytë në cilësinë e zyrtarit komunal dhe sikur herën e parë edhe tash për të bërë përurimin e objektit të ri.
“Atëkohë (si drejtor i Arsimit v.j.) është bërë ndërtimi i objektit të shkollës nga KFOR-i çek dhe tash me një objekt që i përmbush të gjitha kriteret e nevojshme për një mbarëvajtje të mirë të procesit mësimor. Kjo shkollë është bërë me buxhetin komunal. Sigurisht që investimet tona po vazhdojnë jo vetëm për infrastrukturën shkollore, por edhe me laboratorë e kabinete që e lehtësojnë jo vetëm procesin mësimor, por edhe janë stimulues për mësimdhënie”, ka theksuar Shpejtim Bulliqi.
Këto investime në arsim, sipas tij, nuk do të mbetet të fundit.
“Ky do të jetë një prej prioriteteve tona edhe në vitet e e ardhshme për arsye se investimi në të rinjtë sigurisht se do të jetë investim në të ardhmen tonë. Ajo që është brengosëse është rënia e numrit të nxënësve. Dikur i kemi pas 22 mijë nxënës e tash i kemi rreth 16 mijë”, ka thënë ai.
Edhe drejtori i Shkollës “Ali Ajeti”, Lulzim Ajvazi, ka thënë se me këtë objekt të ri mësimdhënia e mësimnxënia do të jetë më e lehtë.
“Sot është një ditë gëzimi për shkollën tonë sepse po bëjmë përurimin e një objekti të ri shkollor. Në objektin e vjetër nuk kemi pas as kushte minimale, ndërsa ky është një objekt që i plotëson të gjitha kushtet. Tash mësimdhënia dhe mësimnxënia është më e lehtë”, është shprehur Ajvazi.
Ceremonia e përurimit të këtij objekti është përcjell edhe me një program kulturor-artistik. Gjatë ditës së enjte është bërë edhe përurimi i çerdhes së re në rrugën “Xhemajl Mustafa”, e cila ishte ndërtuar para shumë vjetësh, por që për shkak të mosfunksionalizimit ishte dëmtuar, madje edhe i ishte djegur kulmi.
Pas renovimit dhe investimit në pjesën e brendshme dhe të jashtme, tash është bërë funksionale.