Indeksonline ka raportuar mbrëmë për arrestimin e një serbi të dyshuar për krime lufte. Policia e Kosovës, respektivisht Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim dhe me autorizim të Prokurorisë Speciale, ka zhvilluar hetime lidhur me krimet e kryera gjatë periudhës kohore të viteve 1998/99 në Kosovë.
Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se i arrestuari është G.Milosavljevic. Gjithnjë sipas këtyre burimeve, serbi nga Istogu që ushtronte pozitën e gardianit ishte i përfshirë në masakrën e Dubravës ku të burgosurit shqiptarë u ekzekutuan për dy ditë me radhë, nga 22 deri me 23 maj.
Në konsultim me prokurorin kompetent i dyshuari i lartcekur është intervistuar në prezencë të avokatit të tij të siguruar sipas detyrës zyrtare, nën dyshimin se i njëjti është përfshirë në veprën penale ‘krime lufte kundër popullsisë civile’.
Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale është lëshuar aktvendim për arrestim dhe ndalim policor në kohëzgjatje prej 48 orësh” thuhet në njoftimin e Policisë./Indeksonline/