Gjykata Themelore e Prishtinës ka pezulluar vendimin e Qeverisë për zvogëlimin e pagave të gjyqtareve dhe prokurorëve.
KOHA ka siguruar aktvendimin në të cilin thuhet se shtyhet ekzekutimi i vendimit të Qeverisë, i datës 23 nëntor, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me kërkesëpadinë e paditëses.
Vendimi është marrë pas padisë për masë të përkohshme që ka bërë Shoqata e Prokurorëve të Kosovës.
Aprovohet propozimi i paditëses – propozues Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës, si e bazuar. Shtyhet ekzekutimi i vendimit me numër 03/109 i datës 23.11.2022 i të paditurës, Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me kërkesëpadinë e paditëses”, thuhet në aktvendim.
Ndaj këtij aktvendimi brenda 15 ditësh mund të parashtrohet ankesë. Por ankesa nuk e ndalon ekzekutimin e këtij vendimi.
Me 23 nëntor Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për zvogëlimin e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.
800 euro është vlera e zbritjes së pagës te shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend, pasi Qeveria e Kosovës vendosi javën e kaluar që pagat në sistemin e drejtësisë t’i kthejë sikur para vendimit të Qeverisë Haradinaj që më 2017 i pati rritur për gati dyfish.
Me vendim të Haradinajt ishte dyfishuar paga e tij dhe ishte rritur e zyrtarëve të tjerë të lartë të Qeverisë. Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në departament të përgjithshëm atë kohë u bërë 1,700 euro neto nga mbi 900 sa ishte deri më 2017.