Anila Mahalla u bë e njohur në mediat online pasi në ndeshjen mes Zvicrës dhe Serbisë, u shfaq në stadium me flamurin kosovar.
Ajo rrëfeu në SOT të KTV-së të hënën se ndjenja ishte e veçantë, e sipas saj, ideja për bërjen e simbolit të shqiponjës i erdhi natyrshëm.
“Kam qenë shumë e lumtur, emocionet kanë qenë shumë të mëdha. Ka qenë ndjenjë e veçantë, i kisha dy flamuj me vete. Njërin të Kosovës e tjetrin të Shqipërisë, këtë të Shqipërisë ma panë dhe ma morën në hyrje të stadiumit, kështu që më mbeti i Kosovës”, rrëfeu ajo.
Mahalla tha se gjendej pranë ulëseve të tifozëve serbë dhe kur Xherdan Shaqiri shënoi gol, u ngrit para serbëve për të festuar.
“Ulësja ime ka qenë në zonën e fansave serbë. Pas golit të parë, kam qenë vetëm unë në këmbë duke festuar, derisa serbët ishin të ulur. Nuk me interesonte që isha vetëm. Sigurimi më pas është ftuar”, shtoi ajo.
Ajo bëri të ditur se ka marrë shumë komente të mira, por edhe negative, kryesisht nga serbët në Instagram.
Zvicra shënoi fitore të rëndësishme ndaj Serbisë të premten, 3:2.