Jo vetëm mungesa e barnave, mbetet problem për Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare (QKUK). Kjo klinikë ballafaqohet dhe me mungesë të stafit të nevojshëm shëndetësor, për t’i ofruar shërbimet për pacientët e shumtë, të cilët trajtohen në këtë klinikë. Si në të gjitha klinikat në QKUK edhe Klinika e Onkologjisë, po braktiset nga personeli shëndetësor.
Drejtori i kësaj Klinike Arben Bislimi thotë për “IndeksOnline” se edhe klinika të cilin ai drejton, ballafaqohet me mungesë të stafit. Sipas tij, së fundi nga kjo klinikë është larguar një teknik i radioterapisë dhe tre infermierë të cilët e kanë lëshuar punën kohë më parë, nuk janë zëvendësuar ende dhe se duke pasur parasysh numri e pacientëve të cilët trajtohen, numri i personelit mjekësor, është i pamjaftueshëm.
“E kemi një teknik të radioterapisë, i cili ka shkuar në Gjermani dhe nuk kthehet më. Dhe akoma nuk e kemi mbuluar vendin e tij të punës. Këto defekte këto deficite, i kemi si në repartin e kimios, ashtu dhe të rrezeve. Është një konkurs i hapur dhe po shpresojmë që dy teknikë të radioterapisë, do të na bashkohen në repartin e rrezeve dhe sado pak ta zbusim këtë rrethanë që e kemi, duke e pasur parasysh numrin e pacientëve që e trajtojmë brenda ditës. Defekti është se tre infermier, të cilët kanë lëvizur ndoshta dhe në klinika tjera ose për arsye tjera nuk janë më pjesë e stafit tonë, nuk janë zëvendësuar dhe për atë po kemi mungesë të stafit. Po shpresojmë që menaxhmenti do të na ndihmojë në këtë drejtim, të plotësojmë këtë numër”, tha ai.
Ndërsa thotë se përveç largimit të deritanishëm të personelit shëndetësor, janë edhe disa të tjerë të cilët veçse janë duke vijuar kurse të gjuhëve të huaja, e të cilët synim kanë largimin nga Kosova.
“E dimë se janë disa duke u përgatitur me kurse të gjuhëve të huaja për vendet ku po mendojnë me shku. Edhe ne nuk po mund t’i shmangemi këtij trendi të keq të lëvizjes së profesionistëve jashtë Kosovës”, tha ai.
Ndërsa thotë se me mundësitë që kanë, me numër të pamjaftueshëm të stafit dhe me hapësira të pamjaftueshme në Klinikë, po mundohen t’i japin shërbime meritore pacientëve./IndeksOnline/