Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se sulmi terrorist më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit ishte akt i agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, që kishte synim aneksimin e veriut.
Në ditën e dytë të vizitës së saj në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Osmani tha se Kosova është rezultati dhe historia më e madhe e suksesit të politikës së jashtme amerikane.
Në një ligjëratë para studentëve të Universitetit Drake, e para e vendit akuzoi Serbinë se po dëshiron të nxisë luftë në rajon.
“Ne asnjëherë nuk i kemi karakterizuar këto si tensione mes Kosovës dhe Serbisë, sepse nuk po sulmojmë askënd, ne jemi në shtëpinë tonë dhe po sulmohemi. Ajo që ndodhi më 24 shtator ishte kulmi i një akti të rëndë agresioni që Serbia po i bënte popullit të Kosovës brenda territorit tonë dhe atë ditë ishin një numër i grupeve terroriste që hynë në Kosovë me numër të madh armësh, armë të shkallës ushtarake me të cilat planifikonin të aneksonin veriun e Kosovës. Policia jonë ka vepruar me shumë profesionalizëm dhe ka penguar aktin e agresionit që në minutat e para të tij”, tha Osmani .