Arrestohen 13 persona në Podujevë e Prizren , nga një aksion i Prokurorisë Themelore në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një njoftimi ka bërë të ditur se në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion ka arrestuar 13 persona të dyshuar, 12 prej të cilëve zyrtarë të ATK-së dhe një pronar i një biznesi.

“Në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot ka realizuar një aksion, me ç ‘rast  janë kontrolluar dhe bastisur dy (2) lokacione, përkatësisht në qytetin e Podujevës dhe Prizrenit, ku fillimisht janë arrestuar trembëdhjetë (13) persona të dyshuar, dymbëdhjetë (12) prej tyre zyrtarë të ATK-së një (1) pronar i një biznesi”, njofton Prokuroria. 

Sipas njoftimit, personat me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., zyrtarë të ATK-së, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 419 i KPRK-së, ashtu që të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milionë euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të pandehurit të B.B. dhe B.B ( të cilët janë në kërkim) pronarë të një biznesi në Podujevë, e që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi” dhe si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milionë euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur.

“Andaj, B.B., F.P. dhe B.B., pretendohet se me veprimet e tyre e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 2.8 milionë euro. Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarve në kohëzgjatje prej 48 orësh, si dhe për të njëjtit do t’i ndërmerre veprimet e mëtejme ligjore. Ndërsa, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara tek i pandehuri F.M janë gjetur dhe konfiskuar një sasi armësh, tri të gjata, tri të shkurtra, pajisje elektronike, telefon e prova të tjera materiale. Prokuroria në koordinim me policinë do të vazhdojë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast”, thuhet tutje në njoftim.