“NATO hyn në luftë kundër Serbisë. Manovrat e fundit diplomatike nuk e kanë bindur Millosheviqin ta pranojë planin perëndimor për Kosovën”. Ky është titulli i gazetës franceze, Liberation më 24 mars 1999, ditën kur aleanca perëndimore ushtarake, NATO nisi bombardimet ndaj Beogradit për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.
“Jam informuar nga Komandanti Suprem i Aleatëve në Europë, Gjenerali Amerikan Wesley Clark, se operacionet ajrore të NATO-s kundër objektivave në Jugosllavi kanë filluar”, shprehej Sekretari i përgjithshëm i atëhershëm i NATO-s në Bruksel, Javier Solana, duke theksuar se “përgjegjësia kryesore për sulmet ajrore i përkasin presidentit Millosheviq, i cili refuzoi t’i japë fund veprimeve të dhunshme në Kosovë dhe të negociojë me mirëbesim”. Më vonë në mbrëmje, zëvendëskryeministri i atëhersëm britanik John Prescott sqaronte se NATO “ka goditur fort dhe do të vazhdojë të godasë fort derisa të arrijë objektivat e saj ushtarake”.