Vuçiq e quan popullin rus “vëlla”, thotë se marrëdheniet ruso-serbe s’mund t’i shkatërrojë asnjë presion

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se populli serb e ka popullin rus “vëlla”, duke iu referuar marrëdhënieve ruso-serbe, Vuçiq tha se “ato nuk mund të shkatërrohen”, madje thotë se “asnjë presion s’mund ta arrijë këtë”.

Këtë deklaratë, Vuçiq e ka bërë gjatë një takimi me Turko Daudov, këshilltari i liderit çeçen, Ramzan Kadyrov për vendet arabe dhe myslimane, ka raportuar Danas.

Në këtë takim si Daudov e Vuçiq e kishin në pah diskursin anti-perëndimor.

“Sot është një situatë e vështirë politike në botë, kur Rusia doli në mbrojtje të vlerave shpirtërore, tradicionale dhe familjare, i tregoi Perëndimit refuzimin e ideologjisë së huaj që ata imponuan, mund të themi se e gjithë bota perëndimore u ngrit kundër tij. Por, me gjithë vështirësitë dhe presionin e jashtëzakonshëm të ushtruar nga Evropa, lidershipi dhe populli i Serbisë jo vetëm që nuk e kundërshtuan, por edhe e mbështetën Federatën Ruse”, ka thënë Daudov.

Ndërkaq Vuçiq kur fliste për raportet shekullore ruso-serbe.

“Për ne, populli rus është populli ynë vëlla, dhe historia shekullore e ka dëshmuar shumë herë. Prandaj, marrëdhëniet ruso-serbe nuk mund të shkatërrohen nën asnjë presion”, ka thënë Vuçiq.

Gjithë kjo shfaqje ka përfunduar me një dhuratë që Vuçiq e mori nga Daudov, bëhet fjalë për një burkë dhe kapele kombëtare. /Express