shte shtrirë në Klinikën e Gjinekologjisë pasi që vetëm edhe pak ditë i kishin mbetur deri në sjelljen në jetë të fëmijës së saj të parë. Hamide Magashi nga fshati Llugaxhi i Lipjanit, nuk i diti lezet e as gëzim shtatzënisë. Gjatë nëntë muajve ajo ishte maltretuar psiqikisht e fizikisht nga bashkëshorti i saj, Sokol Halili, me të cilin kishte vendosur që të ndahej. E udhëtimi për në spital, doli të jetë i fundit për 35-vjeçaren. Ish bashkëshorti i saj dyshohet se e vrau atë në mënyrë mizore para dyerve të Gjinekologjisë, një ditë para se të lindte foshnjën e saj, raporton Gazeta Sinjali.
Hamide Magashi e cila ishte në javën e 41-të të shtatzënisë dhe po priste të sillte në jetë një djalë, u ekzekutua me armë zjarri nga ish bashkëshorti i saj, Sokol Halili, 31-vjeçar, i cili me të kryer veprën është larguar në drejtim të panjohur me veturën e tij, e cila tashmë është gjetur nga Policia.
Por si kishte ndodhur e gjithë ngjarja? Sinjali ka siguruar detaje ekskluzive nga momenti kritik
Hamidja kishte nisur t’i zbresë shkallët që të dalë jashtë hapësirave të spitalit bashkë me një tjetër grua shtatzënë e cila po ashtu ishte në pritje të lindjes së një fëmije. Për praninë e ish bashkëshortit të cilin e kishte denoncuar për dhunë në familje dhe për këtë ishte pajisur me urdhër mbrojtës nga Gjykata, Hamidja ishte në dijeni para se të dilte jashtë spitalit. Për këtë e kishte njoftuar edhe shoqen e saj, të cilës i është drejtuar duke i thënë “e paskna ish burrin këtu”.
Madje pikërisht për këtë arsye, gruaja shtatzënë e cila është dëshmitare se si ka ndodhur ngjarja, ka kërkuar nga Hamidja që të presin edhe pak dhe të mos dalin jashtë gjatë kohës që ai ndodhet aty.
Por këtë e kishte refuzuar 35-vjeçarja, e cila kishte thënë se “Jo, jo, s’ka problem. Hajde dalim ta pijmë nga nji cigare”. E me të dalë jashtë ajo u zatet në ish bashkëshortin Sokolin, tashmë të dyshuarin kryesor për vrasjen e saj.
Para objektit të Klinikës së Gjinekologjisë, në afërsi të ulëseve që ndodhen aty e që shfrytëzohen nga pacientet dhe familjarët që shkojnë për vizitë, Hamidja dhe Sokoli kanë diskutuar për një kohë me njëri-tjetrin. E më pas befas janë dëgjuar të shtëna, sipas dëshmitares e cila e kishte shpinën të kthyer dhe nuk po i shihte direkt ish çiftin.
Sokoli dyshohet se shkrepi armën e tij me shurdhuese në drejtim të Hamides dhe të njëjtën e qëlloi me një plumb në ballë. Dyshohet se edhe pasi e ndjera u rrëzua në tokë pa ndjenja, 31-vjeçari ka vazhduar të qëllojë, duke e lënë atë të vdekur në vend.
Një qytetar që ndodhej aty dhe kishte parë të gjithë ngjarjen, ka njoftuar Policinë, reagimi i të cilëve ka qenë tejet i shpejtë. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes 3-4 minuta pas marrjes së informatës dhe me të arritur në vendin e ngjarjes kanë hasur në trupin e pajetë të viktimës, e cila tashmë ishte mbuluar me një çarçaf.
Ani pse intervenimi i Policisë së Kosovës ishte i menjëhershëm, ata nuk kanë arritur ende ta kapin të dyshuarin kryesor, Sokolin, i cili iku në drejtim të panjohur me veturën e tij Opel Astra.
Ndonëse në hyrje të Klinikës së Gjinekologjisë, ashtu si në çdo Klinikë tjetër, ka rojë e po ashtu në hyrje të QKUK-së qëndron roja që kontrollon hyrje-daljen dhe pajisë me bileta parkingu shoferët të cilët mund të kalojnë me veturat e tyre vetëm pasi të ngrihet laura, askush nuk duket ta ketë parë Sokolin teksa është zhdukur nga vendi i ngjarjes.
E as pas gati 20 orësh, nuk është lokalizuar vendndodhja e 31-vjeçarit të dyshuar për vrasje të rëndë. Por vetura e tij me të cilën dyshohet se u largua, është gjetur sot në rrugën ‘Ahmet Shtimja’.
Policia e Kosovës tashmë ka shpallur në kërkim të dyshuarin, teksa kanë kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve të vendit për ta kapur atë.
Lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Gjykata dhe Prokuroria Themelore në Ferizaj, të cilat kanë konfirmuar se e ndjera, Hamidja kishte urdhër mbrojtës.
“Gjykata pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit të kërkesës së urdhrit mbrojtës, me datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse sipas nenit 5 dhe 6 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2023. Ky aktvendim i është dorëzuar palëve dhe atë palës përgjegjëse, mbrojtësit të tij, palës së mbrojtur, mbrojtësit të viktimave, QPS –Lipjan si dhe Stacioni Policor në Lipjan i cili është urdhëruar që ta bëjë zbatimin e vendimit të urdhrit mbrojtës,”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Teksa nga Prokuroria kanë deklaruar se kompetent për zbatimin e urdhrit është Policia e Kosovës.
“Ky urdhër i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe Policisë së Kosovës – Stacionit Policor në Lipjan dhe në bazë të këtij vendimi, kompetent për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Vrasja e rëndë ka tronditur të gjithë opinionin dhe ka nxitur reagime te të gjithë, duke nisur nga krerët e shtetit.
Kundër vrasjes së grave janë organizuar edhe protesta në Prishtinë. Sot rreth në orën 16:00, në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë është paralajmëruar protestë nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe YIHR nën moton “Vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/Gazeta Sinjali/