Për gjinekologun Dërgut Aliu ishte teknikisht e pamundur të shpëtonte foshnja e gruas shtatzënë që u vra mbrëmë në oborrin e gjinekologjisë. Sipas tij procedurat teknike për këtë proces marrin kohë dhe në një rast të tillë është shumë e vështirë të mbijetojë.
Në një bisedë telefonike për Gazetën Online Reporteri.net, gjinekologu Dërgut Aliu tha se minutat në këto raste janë të arta, pasi mënyra se si shkon rasti pas vrasjes, merr kohë, pasi duhet të bëhet lindja me operacion dhe mbi gjysmë ore shkon përgatitja, e mundësia e shpëtimit është minimale.
“Teknikisht mos të them është gati e pamundur, derisa të vijë mjeku, ajo shkon me operacion, me e çu në sallë, e ato minuta janë të arta, është gati e pamundur, shkon më shumë se gjysmë ore. Mundësia është minimale, teknikisht ekipi s’mund të mbrrijë ekipi, s’mund të bëhet, beba s’mundet me mbijetu te vrasjet, pasi ajo është gjakderdhje. Njerëzit po e lidhin me raste të tjera, kur nana pëson ndonjë infarkt, por kjo gjë është diçka tjetër, ndërsa te vrasja është diçka tjetër, pasi gjakderdhje ka nëna”, tha Aliu për Gazetën Online Reporteri.net.
Gjinekologu kosovar shtoi se në rastet kur nëna vdes, atëherë qarkullimi i gjakut ndërpritet dhe kjo gjë çon në mosushqyerjen e foshnjës.
“Nëse nana ka vdek, atëherë qarkullimi i gjakut ndërpritet, s’ka qysh e ushqen atë bebe ai gjak. Pa marr parasysh që ka ndodhur afër rasti, është e pamundur teknikisht, pasi nuk mbrrijnë, teknikisht është shumë veshtirë. Te vrasjet është shumë shumë shumë vështirë me e shpëtu atë fëmijë, gati e pamundur, ndërsa te vdekjet në mënyrë tjetër është diçka tjetër”, tha gjinekologu Dërgut Aliu.
Pas vrasjes së 35-vjeçares mbrëmë, ka pasur pikëpyetje se cilat ishin përpjekjet e QKUK-së për shpëtimin e foshnjës pas konstatimit të vdekjes së nënës.
“Unë nuk e di se si ka ndodhur rasti dhe cilat kanë qenë reagimet e mjekëve në ato momente. Pas sa minutave kanë dal në vendin e ngjarjes? A kanë dal menjeherë apo jo? Meqë nuk është dërguar ne sallë, a ka mundur të konfirmohet vdekja e foshnjës aty për aty me stetostkop (pinardit) pas konstatimit të vdekjes se nënës?Nëse po, si është konstatu? A e kanë përmbushur mjeket betimin në këtë rast? A ka raste të ngjashme ku është shpëtuar foshnja?”, tha Bujar Vitija, gazetar që mbulon sektorin e shëndetësisë.
“E di që nuk është ndoshta momenti për të tilla pyetje por çështja që në këto momente më intereson është: Cilat ishin përpjekjet e QKUK-së për shpëtimin e bebes pas konstatimit të vdekjes së nënës? Ndoshta mund të konstatohet gjendja e bebes pa ndonjë kontroll të detajuar. Nuk e di. Profesionistet ndoshta tregojnë”, shkroi Rama në një status në Facebook.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sot ka kërkuar përgjegjësi nga të gjitha institucionet përkatëse, teksa ka paralajmëruar se do të ketë shkarkime e dorëheqje qoftë edhe nga Ministria e Shëndetësisë, në rast se vërtetohet se personat përgjegjës nuk kanë bërë mjaftueshëm për ta mbrojtur viktimën.
“Kemi edhe disa informacione të tjera që për shkak të hetimeve nuk mund ti bëjmë të ditura. Por, ju garantoj që secili prej institucioneve, qoftë nga Policia, qoftë nga MSH, qoftë nga qendrat për punë sociale janë të obliguar të verifikojnë secilin veprim institucional prej momentit kur është raportuar dhuna ndaj viktimës. Ky rast na tregon që edhe përkundër veprimeve që kemi ndërmarrë, kemi edhe shumë punë për të bërë. Ky rast duhet të na bëjë të angazhohemi edhe më shumë derisa të ofrojmë siguri të plotë për gratë”, tha Haxhiu.
I dyshuari për vrasjen e 36-vjeçares, ish-bashkëshorti Sokol Halili ndodhet ende në arrati.
Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim të dyshuarin, Sokol Halili nga fshati Godancë i Shtimës, si të dyshuar për vrasjen e mbrëmshme të ish-gruas së tij në oborrin e QKUK-së./Reporteri.net/