Në përputhje me Rezolutën 12/44, Kosova shpejt u vendos nën administrimin ndërkombëtar. Përderisa projekti i Ramboullet-së kishte paraparë një periudhë qeverisjese të përkohshme që do të zgjaste tre vjet, faza e përkohshme nën prezencën ndërkombëtare zgjati tetë vjet e gjysmë.
Gjatë kësaj periudhe, autoritetet e Kosovës gradualisht morën mbi vete shumicën e aspekteve të politikës publike, nën udhëzimin apo, siç thuhet ndryshe, nga tutela e administratorëve të Kombeve të Bashkuara.
Rezoluta e Këshillit të Sigurimit 12/44 u miratua më 10 qershor 1999 me katërmbëdhjetë vota për dhe asnjë kundër – Kina abstenoi. I gjithë teksti i Rezolutës iu nënshtrua Kapitullit VII të Kartës së OKB-së.
Ndërsa, prezenca ushtarake e themeluar nga “shtetet anëtare dhe të organizatave relevante ndërkombëtare” do t’i koordinonte punët për së afërmi me prezencën civile, por nuk i nënshtrohej kontrollit të Sekretariatit të OKB-së.
E gëzonte mandatin për ta vënë në funksion armëpushimin, t’i parandalonte armiqësitë, të siguronte tërheqjen dhe të parandalonte kthimin e forcave të caktuara.
Sipas paralajmërimit të të ashtuquajturit drejtor të “Zyrës për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, autoritetet serbe do të shqyrtojnë rikthimin e personelit serb në Kosovë sipas pikës 6 të Rezolutës 12/44, Aneksi II dhe shënimit 2 të KS-së së OKB-së e në bazë të Marrëveshjes së Rambouillet-së.
“Vendi ynë do të marrë në konsideratë kthimin e 1 mijë pjesëtarëve të forcave tona për të cilat ne kemi të drejtë sipas Rezolutës 12/44″, deklaroi Petkoviç gjatë një konference për media të enjten në mbrëmje.
Në fakt, këtë e paralajmëroi edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, pasi KFOR-i ia bëri me dije se të gjitha formacionet policore të Kosovës operojnë pa asnjë ndalesë në tërë territorin e Kosovës.
Mirëpo, çka thotë Pika 6 e Rezolutës 12/44, Aneksi II, fusnota 2?
Më 9 qershor, në Kumanovë u nënshkrua Marrëveshja ushtarako-teknike, që kishte paraparë një plan të detajuar të tërheqjes edhe pse ishte paraparë rikthimi i një prezence të vogël ushtarake RFJ/Serbi në një fazë të mëvonshme, si reflektim i dispozitave të një plani më të detajuar paqeje që ishte pranuar më 1 qershor.
Pas tërheqjes, sipas pikës 6, Aneksi II, një numri të caktuar të personelit serb dhe jugosllav do t’i lejohet kthimi në Kosovë për t’i kryer funksionet e mëposhtme:
– Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë;
– Shënjimi/pastrimi i fushave të minuara (është konsumuar si problem);
– Mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe;
– Mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.
Ndërsa vendimi bie në diskrecionin e Komandantit të KFOR-it.
Kurse, shënimi 2 thotë: “Kthimi i personelit për t’i kryer të katër funksionet e specifikuara më lartë do të bëhet nën mbikëqyrjen e pranisë ndërkombëtare të sigurisë dhe numri i tyre do të jetë i kufizuar (qindra, jo mijëra).
Pra, kthimi i personelit serb, sipas Rezolutës (sëpari nuk specifikohet të jetë ushtarak, pra literalisht saktësohet të jenë qindra, jo mijëra) do të përcaktohet me këtë Marrëveshje.
Tërheqja e plotë serbe nisi atëherë, kurse nisja e zbarkimit të forcave të NATO-s ndodhi të nesërmen.
Megjithatë, përderisa kushtet e kapitullimit të RFJ-së në luftë nuk mund të dihen saktësisht, nuk dihen as kushtet nën të cilat, NATO mund ta lejonte këtë ose jo, duke u nisur mbi faktin se në ndërkohë lindi një shtet i ri.
Kosova është njohur nga 116 kombe të botës, përfshi ShBA-në, Britaninë e Madhe dhe katër shtetet tjera të QUINT-it, si dhe Deklarata e Pavarësisë është konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (korrik 2010), plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
“GJND-ja konkludon se nuk mund të pranohen argumentet se Rezoluta 12/44 parashikon ndalimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”.
Ndryshe, tensionet janë rritur në pjesën veriore të Kosovës, pasi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar për shtimin e numrit të policëve në këtë zonë.
Madje, Policia e Kosovës është sulmuar me armë të gjata në Zveçan dhe për pasojë është lënduar një polic të enjten në mesnatë.
Rritja e forcave policore atje, ka ardhur pas rastit në zyrat e anëtarëve komunalë zgjedhorë, pasi përkundër se në përcjellje të policisë ata nuk u lejuan të futen në vendet e tyre të punës./AP