Viktimat e dhunës në familje në Prishtinë do të përfitojnë nga 500 € në muaj

Drejtoria e Mirëqenies Sociale e Prishtinës nga viti i ardhshëm viktimave të dhunës në familje do t’i ndihmojë me nga 500 euro në muaj.

Adelinë Sahiti, drejtoreshë për Mirëqenie Sociale për Ekonomia Online thotë se mbështetja iu dedikohet më shumë grave për të cilat deri më tani nuk kanë mundur t’iu sigurojnë strehim për më shumë se 6 muaj.

Ajo thotë se me këtë vendim që e kanë përcaktuar do t’iu mbulojw atyre të jetojnë të qetë dhe pa dhunë.

“Ky vendim i ka tri shtylla të tij, tri mbështetje financiare në pako prej 500 euro e të cilat përfshinë strehimin për viktimat e dhunës në familje. Strehimi i cili mbulon deri në 250 euro për një viktimë e dhunës në familje, banimin e saj, gjetjen e qerasë. E pastaj pjesa tjetër 150 euro për ato të cilat nuk janë pjesë e skemës sociale për kushte të jetesës për veshmbathje e gjëra ushqimore të tilla dhe 50 euro për një fëmijë. Në rast që viktima mund të ketë më shumë se një fëmijë ne do t’i japim deri në 100 euro që në total kur bëjmë një matematikë të thjeshtë del që janë 500 euro për një viktimë të dhunës në familje. Është një vendim shumë i guximshëm, një hap shumë i madh, e ne këtë e kemi bërë para se të fillonte kampanja globale 16 ditë aktivizmit kundër dhunës në familje. Me këtë po besoj që kemi një progres apo një shembull sigurisht që duhet të praktikohet edhe nga komunat e tjera, e pse jo edhe nga niveli qendror e normalisht që vetëm shumëfishohet kjo pagesë”, thotë ajo.

Sahiti thotë se për herë të parë është marrë një vendim i tillë dhe me këtë viktimat e dhunës në familje do ta kenë të lehtë edhe gjendjen emocionale që iu krijohet në atë periudhë.

“Është hera e parë që bëhet një ndihmesë e tillë, më herë nuk kemi pasur, unë e thashë që kemi pasur strehimore deri në 6 muaj dhe pastaj ajo është dashur t’ia bëje zgjidhjen vetes duke e pasur parasysh këtë situatë ne kemi reaguar në mes këtij vendimi dhe duke pasur parasysh se qendra për Punë Sociale është dera e parë pas raportimit në polici që e bënë viktima, atëherë është punëtori sociale i cili e bënë, duhet të jetë pjesë e gjithë procedurës nga marrja në intervistë e viktimës deri tek vendosja në vazhdimësi ecuria se si po akomodohet dhe gjendja e saj shpirtërore emocionale e saj dhe çka mund të bëjë mirë ne e kemi pa të udhës dhe e kemi marrë vendim që po besoj që ka hy në fuqi dhe nga janari i vitit tjetër ne presim aplikimet e para me seri kriteresh që t’i përmbushin”, shton Sahiti./EO