Kërkohet dyfishimi i buxhetit për rrugën Prishtinë – Podujevë: Ky është vendimi i Kuvendit

Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar amendamentin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni për dyfishimin e buxhetit për rrugën Prishtinë-Podujevë.

Deputeti i mazhorancës, në seancën e sotme ku po shqyrtohet në lexim të dytë buxheti për vitin 2023, tha se në kodet buxhetore për rrugën Prishtinë-Podujevë duhet të shtohen edhe gjashtë milionë euro.

Dyfishimi i buxhetit për këtë rrugë, Hyseni tha se është domosdoshmëri për qytetarët në atë pjesë.

“Projekti ndërtimi i rrugës Prishtinë-Podujevë, të shtohet shuma prej gjashtë milionë euro, shumës aktuale që është planifikuar në buxhetin për vitin 2023. Pra të dyfishohet dhe të kemi 12 milionë euro gjithsej për këtë projekt”, tha ai.

Megjithatë, këtë amendament nuk e mbështetën bashkëpartiakët e Hysenit në Grupin Parlamentar të LVV-së, përveç shtatë deputetëve që janë nga rajoni i Podujevës. Ndërkaq, partitë opozitare u shprehën pro tij.