Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim deputetin e Bundestagut gjerman, Christoph Ploss.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në këtë takim u diskutua edhe mbi rrugëtimin evropian të Kosovës. Zëvendëskryeministri Bislimi përmendi se vendi ynë ka përafruar politikën e jashtme me atë të BE-së.
“Kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe së fundmi për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe janë bërë hapa përpara drejt liberalizimit të vizave, ku sot dhe u miratua nga ambasadorët e BE-së teksti mbi liberalizimin”, tha Bislimi.
Ai tha se Gjermania është një nga aleatët më të fuqishëm dhe shtet mik i Kosovës.
“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanisë, vijojnë e thellohen në kuadër dhe të bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve tona në fusha me interes të përbashkët strategjik. Energjia e ripërtëritshme dhe agjenda e gjelbër qëndrojnë lart në agjendë dhe mbështetje të Gjermanisë ndaj Kosovës”, tha tutje Bislimi.
Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi deputetin Ploss për mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve gjermane ndaj Kosovës, veçanërisht Bundestagut gjerman, mbi procesin e integrimit evropian.