Pas ndeshjeve të Kombëtareve, në këtë mesjavë do të rikthehet gara më prestigjioze e futbollit evropian – Liga e Kampionëve.
Ndeshjet e xhiros së pestë të fazës së grupeve do të zbulojnë shumëçka rreth skuadrave që do të kualifikohen ose që do t’i afrohen së tetës së finales së kësaj gare.
Pa dyshim, vëmendja e të gjithëve do të përqendrohet tek Grupi F, aty ku gjithçka mbetet ende e hapur sa i përket kualifikimit.
Sonte na presin dy ndeshje “të zjarrta” në këtë grup, shkruan “Gazeta Express”.
Milani do ta kërkojë fitoren e dytë në këtë fazë në duel me Borussia Dortmundin.
Vetëm trepikëshi mund t’i lë “Rossoneri” në lojë për t’u kualifikuar.
Andaj, pasi e mposhtën Paris Saint-Germainin, gjigantët italianë synojnë ta kthejnë në shtëpi duarthatë edhe ekipin Verdh e Zi.
Milani s’do të mundë të llogarisë në Raphael Leaon sonte, ndërsa i rikthehet Olivier Giroud.
Nga ana tjetër, liderët e grupit do të shkojnë në Itali për ta fituar lojën dhe për ta siguruar kualifikimin.
Përballja tjetër e grupit është po aq e rëndësishme.
Paris Saint-Germain do t’i bëjë konak Newcastlet.
Parisienët do të mundohen t’ju hakmerren anglezëve, nga të cilët kishin humbur 1:4 në lojën e parë.
Me një fitore eventuale, francezët do ta bënin një hap gjigant drejt kualifikimit.
Madje, ata do ta prisnin biletën për fazën tjetër me një fitore në “Parkun e Princave” dhe nëse ndërkohë Dortmundi e ndal Milanin.
Në Grupin H, do ta kemi një ballafaqim direkt për vendin e parë.
Barcelona do ta mirëpresë Porton, me dy skuadrat që e ndajnë pozitën e parë me nga 9 pikë.
Me një fitore në shtëpi, gjiganti katalunas do të ecte tutje.
Ndërkohë, Shakhtari llogarit në fitore ndaj Antwerpit të Arbnor Mujës, për t’i mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit.
Edhe Grupi A mbetet interesant me Atletico Madridin, Lazion e Feyenoordin, që i ndajnë vetëm dy pikë, shkruan “Gazeta Express”.
Lazio e pret Celticun sonte, kurse Feyenoordi do ta sfidojë Atleticon.
Në Grupin G tashmë janë përcaktuar dy skuadrat që kanë shkuar në të tetën e finales, Manchester City dhe Leipzigu.
Pjesa dërrmuese e ndeshjeve të sontme do të nisin në orën 21:00