Jose Luis Munuera Montero do të jetë gjyqtar kryesor i ndeshjes finale të Kupës së Mbretit mes Athletic Bilbaos dhe Mallorcas.
Eduardo Prieto Iglesias do të jetë në dhomën e VAR-it. Kjo dyshe e gjyqtarëve ka ngjallur eufori te Mallorca para finales së Kupës së Mbretit që zhvillohet në fundjavë. Mallorca ka shënuar fitore në dy raste kur kjo dyshe ishte në drejtim të ndeshjes, ndërsa sulmuesi kryesor i saj, Vedat Muriqi, ka shënuar dy gola në ato ballafaqime.
Sulmuesi i Kosovës me Mallorcan synon që të korrë sukses edhe në finale të garës. Athletic Bilbao – Mallorca luhet të shtunën në orën 22:00, në stadiumin “La Cartuja” në Sevilla.
Dyshja Munuera Montero dhe Prieto Iglesias kanë qenë gjyqtar në ndeshjen Celta – Mallorca që u zhvillua në stadiumin “Balaidos” më 16 shtator të vitit të kaluar. Mallorca kishte fituar me rezultatin 1:0, ndërsa Muriqi shtatlartë e kishte shënuar golin e vetëm në ndeshje në minutën e 85-të.
Golin e fitores, Muriqi e kishte shënuar edhe në minutën e parë të kohës shtesë edhe në fitoren e 11 shkurtit të këtij viti. Mallorca kishte fituar në shtëpi me rezultatin 2:1 ndaj Rayo Vallecanos. 29-vjeçari Muriqi po kalon formë të mirë aktualisht me pesë gola e dy asistime në të gjitha garat.
Në total, gjyqtari Munuera Montero ka ndarë drejtësi në ndeshjet e Mallorcas gjashtë herë. Mallorca ka bilanc prej katër fitoreve dhe dy humbjeve, nga Barcelona në vitin 2019 dhe nga Elche me rezultatin 1:0.
Edhe Athletic Bilbao ka bilanc prej dy fitoreve kur ka referuar kjo dyshe. 2:0 mposhti Osasunan në udhëtim, ndërsa 2:1 fitoi ndaj Real Sociedadit në derbin bask.
Bilbao nuk ka humbur me të që prej shtatorit të vitit 2021 kur u mposht 2:1 nga Rayo Vallecano.
Mallorca po e synon trofeun e dytë në histori të klubit.
Të udhëhequrit e trajnerit Javier Aguirre kanë shkëlqyer në këtë edicion të Kupës së Mbretit, duke e eliminuar Gironan dhe Real Sociedadit përgjatë rrugëtimit.
Por, Mallorca nuk e ka fituar Kupën e Mbretit prej edicionit 2002/2003, kur ishte hera e vetme që ka triumfuar. Në atë kohë, Mallorca kishte fituar 3:0 ndaj Recreativo Huelvas, kurse në skuadër kishte edhe Samuel Eto’o e Walter Pandiani.
Për Mallorcan do të jetë finalja e katërt e Kupës së Mbretit. Në edicionin 1997/98 ishte mposhtur nga Barcelona, kurse në edicionin 1990/91 kishte humbur nga Atletico Madridi.
Fituesi i kësaj gare do të kualifikohet në fazën grupore për edicionin e ardhshëm të Ligës së Evropës.