“E goditën me shkop”: Të dyshuarit për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë janë të mitur, dërgohen në paraburgim

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje për ngjarjen e rëndë në Podujevë, ku pas lëndimeve të marra nga dy persona ka vdekur 18-vjeçari Lulzim Fejzullahu.

Organi i akuzës ka bërë të ditur se Fejzullahu është goditur me shkop nga dy të dyshuar, po ashtu të mitur, pas një përleshjeje fizike.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me rastin dt. 15 janar 2024, në Podujevë, ku pas një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën (tashmë të ndjerin, 18 vjeç), duke i shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale “Vrasje në tentativë” (tashmë vrasje) dhe rasti ka filluar të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, tutje Prokuroria ka bërë të ditur se Gjykata ia ka aprovuar kërkesën që dy të dyshuarit t’i çojë në paraburgim, transmeton

“Brenda afatit ligjor, pranë gjykatës kompetente, prokurori ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarit, e cila është aprovuar dhe të dyshuarit aktualisht ndodhen nën masën e paraburgimit”, thuhet në njoftim.

/Lajme.net/